Luftimet intensive të forcave të armatosura izraelite kundër grupit militant Hamas në veri të Rripit të Gazës kanë përfunduar, njoftoi Ministria izraelite e Mbrojtjes.
“Faza intensive e ofensivës tokësore në jug të enklavës bregdetare në zonën e qytetit Khan Younis do të përfundojë së shpejti”, tha të hënën ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, shkruan Times of Israel.
“Në fund të luftës, nuk do të ketë asnjë kërcënim ushtarak nga Gaza. Hamasi nuk do të jetë në gjendje të kontrollojë dhe të funksionojë si një forcë ushtarake në Rripin e Gazës, dhe IDF do të ketë liri të plotë veprimi për të bërë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur qytetarët e Izraelit. Mund të duhet shumë kohë, por do të përfundojë me fitore totale”, shtoi Gallant, transmeton Telegrafi.
“Edhe pse periudha e luftimeve intensive do të përfundojë së shpejti, forcat e armatosura duhet të vazhdojnë presionin ushtarak për të siguruar lirimin e pengjeve të mbetura izraelite në Gaza. Nëse ka një armëpushim, fati i pengjeve do të vuloset për shumë vite në robërinë e Hamasit”, tha ndër tjera ministri izraelit.
Sipas tij, pa presion ushtarak askush nuk do të bisedojë me izraelitët – madje thotë se vetëm fuqia e shfaqur mund të lirojë pengjet.
Në anë tjetër, presioni ndërkombëtar po rritet vazhdimisht ndaj Izraelit për të zvogëluar intensitetin e sulmeve dhe për të parandaluar viktima masive civile gjatë sulmeve në Rripin e Gazës.
Uashingtoni i ka bërë thirrje Izraelit të kalojë nga bombardimet e rënda në sulme më të shënjestruara kundër grupit militant Hamas. /Telegrafi/