Të paktën 142 persona janë vrarë nga bombardimet e Izraelit në Gaza në 24 orët e fundit, sipas ministrisë palestineze të shëndetësisë. 278 të tjerë janë plagosur në të njëjtën periudhë, shkruan Al Jazeera. Shumë viktima mbeten ende të bllokuar nën rrënoja dhe nuk mund të arrihen nga shpëtimtarët. Zëvendësshefi i agjencisë për fëmijët i Kombeve të Bashkuara Ted Chaiban ka thënë se fëmijët në Gazë po vuajnë nga “kushtet e tmerrshme” dhe territori i përfshirë nga lufta vazhdon të jetë vendi më i rrezikshëm në botë për fëmijët.
Nga ana tjetër kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, refuzon publikisht idenë e krijimit të një shteti palestinez pas përfundimit të luftës në Gaza. Në një konferencë për shtyp, numri një i Tel Avivit, tha se ia kishte bërë të qartë qëndrimin e tij Shteteve të Bashkuara, duke zbehur kështu shpresën se kriza aktuale do të detyronte palët t’i drejtoheshin diplomacisë për t’i dhënë fund ciklit të dhunës. Me tone sfiduese, Netanjahu u zotua të vijojë me ofensivën në Gaza deri në një fitore të plotë; shkatërrimin e Hamasit dhe kthimin e pengjeve të mbetura.
“Dua ta bëj të qartë se në çdo marrëveshje në të ardhmen e afërt, shteti i Izraelit duhet të ketë kontrollin e sigurisë në të gjithë territorin në perëndim të Lumit Jordan. I kam thënë të vërtetën miqve amerikanë dhe ndala gjithashtu përpjekjen për të na imponuar një realitet që do të dëmtonte sigurinë e Izraelit”, deklaroi Benjamin Netanjahu, Kryeministër i Izraelit.
Duke folur për gazetarët pas komenteve të Netanjahut, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë në SHBA, John Kirbu, e pranoi se Uashingtoni dhe Tel Avivi i shohin gjërat ndryshe.
SHBA-ja ka thënë se Autoriteti Palestinez, që njihet ndërkombëtarisht dhe që qeverisë në zonat gjysmë-autonome në Bregun e pushtuar Perëndimor nga Izraeli, duhet të “rigjallërohet” dhe të kthehet në Gazë. Hamasi kishte rrëzuar nga pushteti Autoritetin Palestinez në Gazë më 2007. SHBA-ja po ashtu ka bërë thirrje për ndërmarrjen e hapave drejt krijimit të një shteti palestinez.
Palestinezët kërkojnë që Gaza, Bregu Perëndimor dhe Jerusalemi Lindor të jenë pjesë e shtetit të tyre të ardhshëm. Këto zona ishin pushtuar nga Izraeli më 1967. Gjatë forumit ekonomik në Davos, Blinken tha se zgjidhje me dy shtete është mënyra më e mirë për të mbrojtur Izraelin, për të bashkuar vendet e moderuara arabe dhe për izoluar armikun e përbetuar të Izraelit, Iranin. Pa “një rrugë drejt një shteti palestinez”, tha ai, Izraeli nuk do të ketë “siguri të mirëfilltë”. Izraeli nisi ofensivën pas sulmit të paprecedent të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, kur u vranë 1.200 persona dhe morën peng afër 250 të tjerë. Sulmi i Izraelit, ka lënë të vrarë pothuajse 25.000 palestinezë. Ofensiva izraelite po ashtu ka shkaktuar shkatërrim të madh dhe mbi 80 për qind e popullsisë së territorit me 2.3 milionë banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre. /Alsat.mk