BotaLajme

Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të takohen me homologët izraelit dhe palestinez

Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet që sot të zhvillojnë një takim të veçantë me homologët e tyre izraelit dhe palestinez mbi perspektivat për një paqe të qëndrueshme.

Ky takim vjen pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka refuzuar thirrjet për një zgjidhje me dy shtete.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka akuzuar Izraelin për “krijimin” dhe “financimin” e Hamasit, gjë që sipas tij dërgon në zvogëlimin e mundësive për krijimin e një shteti palestinez, shkruan The Guardian, transmeton Telegrafi.

Gjithashtu, ai ka këmbëngulur se e vetmja mënyrë që të arrihet një paqe e qëndrueshme në rajon është që një zgjidhje me dy shtete “të imponohet nga jashtë”.

27 ministrat e BE-së së pari do të takohen me ministrin e jashtëm izraelit, Israel Katz, përpara se të bisedojnë veçmas me kryediplomatin e Autoritetit Palestinez, Riyad-al-Maliki.

Katz dhe Maliki nuk pritet të takohen me njëri-tjetrin.

Bisedime me ministrat evropianë do të zhvillojnë edhe ministrat e jashtëm të Egjiptit, Jordanisë, dhe Arabisë Saudite.

Zyrtarët e BE-së gjithnjë e më shumë po bëjnë thirrje për përfundim të luftës në Gazë, për t’i dhënë fund sundimit të Hamasit, duke e vendosur Autoritetin Palestinez në krye të territorit. /Telegrafi/

Show More

Related Articles

Back to top button