LajmeMaqedoni

Rritja ekonomike e dobët në RMV

Parashikimet e institucioneve ndërkombëtare financiare nuk janë aq optimiste sa ato qeveritare për rritjen ekonomike të vendit. Ekzekutivi parashikon rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto për 3.5 për qind, përderisa Banka Botërore parashikon rritje prej 2.5 për qind. Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare ka publikuar raportin më të fundit me projeksionet e dimrit për vitin 2024 . Sipas tij, Maqedonia sivjet parashikohet të ketë rritje ekonomike prej 2.2 për qind, inflacion prej 3.5 për qind dhe papunësi prej 12 për qind. Në nivel rajonal, të dhënat e raportit për projeksionet e rritjes ekonomike në vendet e rajonit, thonë se Shqipëria pritet të ketë rritjen ekonomike më të lartë, vetëm pas Malit të Zi . Ekonomia në Malin e Zi pritet të zgjerohet me 4 për qind , ndërsa ekonomia e Shqipërisë pritet të ketë një zgjerim me 3.6 për qind.

Nga ana tjetër, ekonomia e Kosovës pritet të zgjerohet me 3.5 për qind në vitin 2024. Në vendet e tjera të rajonit si Bosnje Hercegovina, dhe Serbia pritet që kjo rritje të jetë me 2 dhe 2.4 për qind. Sipas raportit, përshpejtimi i pritshëm i rritjes rajonale varet nga përmirësimi i kushteve ekonomike, të cilat deri më tani kanë qenë të ndikuara nga një sërë faktorësh globalë si pandemia, konfliktet dhe kushtet mjedisore. Ekonomia botërore përgjithësisht u ndikua nga pasiguritë politike në mbarë botën, goditje të shumta që lindin nga konfliktet dhe ndryshimet klimatike që bënë kërdinë kryesisht në jetët dhe mjetet e jetesës së miliona njerëzve, më tej duke rrezikuar progresin drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

Profesori nga ky institut, Branimir Jovanoviq vlerëson se ky vit do të jetë pak më i mirë se viti kaluar, me ngadalësim të inflacionit në raport me 10 për qind në vitin 2023, përderisa shton se do të ketë një përmirësim edhe të fuqisë blerëse të popullatës që do të ndikon pozitivisht edhe në aktivitetet ekonomike. Megjithatë, shton se me dobësimin e masave antikrizë qeveritare dhe skadimin e tyre, si dhe ngadalësimin e rritjes së pagave është e pritshme të ketë edhe ngadalësim të aktiviteteve ekonomike. Njëherësh një moment pozitiv në ekonomi do të jetë lirimi i politikës monetare si rrjedhojë e uljes së inflacionit.

Edhe pse mjedisi ndërkombëtar është sfidues dhe ka rreziqe të konsiderueshme negative, perspektiva ekonomike për vitin 2024 është ndriçuar ndjeshëm në shumicën e ekonomive të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, dhe veçanërisht në vendet anëtare të BE-së. Ky është konstatimi i parashikimit të ri të dimrit nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, për 23 vende të rajonit.

“Rënia dramatike e inflacionit, rritja e mprehtë e pagave reale dhe rritja e konsumit privat, e kombinuar me uljet e menjëhershme të normave kryesore të interesit, duhet ta kthejnë rritjen në rrugën e duhur”, thotë Riçhard Grieveson, zëvendës drejtor i Viiv dhe autori kryesor i Parashikimi i dimrit. “Rimëkëmbja e shpresuar e ekonomisë gjermane, e cila është kaq e rëndësishme për rajonin dhe që duhet të materializohet nga mesi i vitit, është, natyrisht, gjithashtu një element i rëndësishëm”,shton ai.

Për vitin 2024, Viiv parashikon rritje mesatare prej 2.5 për qind për anëtarët e BE-së në rajon. Pasi përjetuan vetëm rritje minimale prej 0.6 për qind vitin e kaluar, këtë vit pritet që edhe një herë të tejkalojnë ndjeshëm zonën e euros (0.8 për qind).

“Anëtarët e BE-së në Evropën Qendrore dhe Lindore po kthehen në normalitet dhe do të vazhdojnë procesin e konvergjencës ekonomike me Evropën Perëndimore që u ndërpre vitin e kaluar”, thotë Grieveson. Pavarësisht perspektivës pozitive, ka rreziqe të konsiderueshme negative, siç u përmend në fillim.“Një recesion i vazhdueshëm në Gjermani, një përshkallëzim i luftërave në Ukrainë dhe Gaza, ndërprerje në zinxhirët e furnizimit si ato që ndodhin aktualisht në Detin e Kuq dhe, mbi të gjitha, zgjedhja e Donald Trump si presidenti i ardhshëm i SHBA mund të rrezikojnë seriozisht rimëkëmbjen”, thekson Grieveson. Sipas tij, dominojnë rreziqet gjeopolitike, veçanërisht në lidhje me administratën e ardhshme amerikane dhe luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.

Nga ana tjetër Banka Botërore parashikon se sivjet ekonomia e Maqedonisë do të ketë rritje prej 2.5 për qind, ndërsa në vitin 2025 prej 2.9 për qind. Në raportin e janarit për perspektivat globale ekonomike, Banka parashikon se në rajonin e Ballkanit Perëndimor, rritja më e lartë këtë vit do të jetë Kosova 3.9 (4.0 për qind në 2025), Shqipëria 3.2 (3.2 për qind në 2025), Mali i Zi 3.2 (3.1 për qind në 2025), Serbia 3.0 (3.8 për qind në 2025), Bosnje e Hercegovina 2.8 (3.4 për qind në 2025), Kroacia 2.7 (3.0 për qind në 2025) dhe Bullgaria 2.4 për qind (3.3 për qind në 2025).

Në raport, Banka Botërore vlerëson se në vitin 2023, ekonomitë në Ballkanin Perëndimor u prekën nga ulja e kërkesës së jashtme, pasojat e luftës në Ukrainë, rritja e inflacionit dhe çmimet e energjisë dhe ushqimeve. Një ndikim shtesë, siç u tha, është vonesa e reformave në lidhje me anëtarësimin në BE.

Analiza më tej shton se në Ballkanin Perëndimor, prodhimi pritet të rikuperohet me 3 për qind në 2024 dhe 3.5 për qind në 2025. Aktiviteti ekonomik në këtë në rajon pritet të mbështetet nga forcimi i konsumit për shkak të lehtësimit të presioneve inflacioniste, rimëkëmbjes graduale në eurozonë, rritje e shpenzimeve publike për projektet infrastrukturore të BE-së, si dhe kërkesën e vazhdueshme por më të ngadaltë që ndërlidhet me fitimet në turizëm. Tregjet e punës do të vazhdojnë të jenë të shtrënguara, ndërsa hapësira fiskale do të mbetet e kufizuar për shkak të ngurtësive në shpenzimet jodiskrecionale, si p.sh pensionet dhe pagat. Gjithashtu vonesat e mëtejshme në disbursimin e fondeve të BE-së paraqesin një tjetër rrezik negativ për Evropën Qendrore, pasi anulojnë reformat që lidhen me anëtarësimin në BE në Ballkanin Perëndimor konstaton Banka Botërore. /Koha/

Show More

Related Articles

Back to top button