Gjykata e Lartë e Spanjës pezulloi dënimin në vlerë prej 209 milionë dollarësh ndaj kompanive Apple dhe Amazon, të shqiptuar në korrik nga organizata që mbikqyr rregullat kundër monopolit, në pritje të vendimit të apelit kundër dënimit të bërë nga dy gjigandët e teknologjisë, sipas një zëdhënësi të firmës Amazon.
Organizata CNMC dënoi kompanitë Amazon dhe Apple që po bashkëpunonin për të penguar ndërmarrës të tjerë që të shesin produkte të firmës Apple në faqet e internetit të Amazonit në Spanjë.
Apple është dënuar me 143.6 milionë euro dhe kompania Amazon me 50.5 milionë euro. Dy kompanitë deklaruan se do të apelojnë dënimin.
Vendimi i gjykatës për të pezulluar pagesën e dënimit është pjesë e procesit të apelimit të të dy kompanive, sipas zëdhënësit të kompanisë Amazon.
Amazon kishte njoftuar në korrik se si rezultat i një marrëveshjeje me Apple, ishte rritur numri i produkteve të kompanisë Apple që shiteshin me ulje çmimi përmes kompanisë Amazon, ndërkohë që Apple tha se qëllimi i marrëveshjes ishte të mbronte konsumatorët nga produktet e falsifikuara.
Pezullimi i dënimit nuk nënkupton që gjykata do të vendosë në favor apo kundër gjigandëve teknologjikë.
Zëdhënësi i kompanisë Apple refuzoi të komentonte vendimin të enjten.
Sipas organizatës CNMC, që rregullon çështjet e monopolit në treg, kontrata e nënshkruar nga dy kompanitë në tetor të vitit 2018 që i jep kompanisë Amazon statusin e shitësit të autorizuar të produkteve të kompanisë Apple në Spanjë, përfshin disa klauzola që bien ndesh me konkurrencën e lirë, duke penguar mbi 90% të shitësve të tjerë ekzistues të produkteve të kompanisë Apple në Amazon.
Pas këtyre kontratave, kompania Amazon ka kufizuar edhe aftësinë e shitësve në Bashkimin Evropian që operojnë jashtë Spanjës të kenë qasje tek konsumatorët spanjollë dhe ka kufizuar reklamat që shitësit e tjerë të produkteve të firmës Apple, mund të vendosin në faqet e Amazonit, kur blerësit kërkojnë produktet e kësaj kompanie.
Një rast i ngjashëm ishjte hapur edhe në Itali kundër këtyre dy kompanive, por gradualisht u heq dorë nga padia