LajmeMaqedoni

Ndryshime po, por me çfarë ndryshimesh me ia nisur…?

Disa turbulenca të kohëve të fundit në skenën politike të Maqedonisë së Veriut duken se bartin në vete disa ambicie interesante, e ndërkohë janë edhe të shoqëruara me konflikte e larje hesapesh, me shtimin e “diversitetit” të divergjencave antagoniste.

Kjo i takon tashmë një “normaliteti” i cili lehtë integrohet në regjistrin e kontinuitetit dhe gjithë atyre ndodhive të muajve apo edhe viteve të fundit.

Kalimi në opozitë i disa akterëve të rëndësishëm politikë, i përcjellur pastaj me dëshirën për krijimin e një fronti të zgjeruar opozitar, duket gjithashtu një shenjë e një vullneti të fuqishëm politik për me i ndryshuar gjërat, duke bartur një shpresë tek ata që janë tejet mase të dëshpëruar me politikën e sodit, e të deritanishme.

Status quo nuk mund të mbahet, e as të durohet ! Kështu tingëllon porosia e një pjese dërmuese të popullatës, kështu që slogani që e shpalosi nisjen e një ndryshimi duket se pritej pa durim.

Bilanci i zbehtë i politikbërjeve shumëvjeçare apo thuajse disa dekadash e arsyeton pa asnjëfarë dileme nevojën për ndryshime, bile edhe atë për ndryshime rrënjësore nëse synohet përfundimisht trasimi i një rruge të mbarë.

Ky mesazh iu drejtohet të gjithë akterëve politikë, përfshirë natyrisht edhe atyre që e ndjejnë veten të kanosur nga opozita apo nga vota e “mosbesimit” të votuesve të zhgënjyer.

Reformat që duhet realisht me i bërë janë akoma shumë larg nga standardet e kërkuara jo vetëm nga akterët evropianë, por sidomos dhe para së gjithash të kërkuara nga interesi i gjithmbarshëm dhe nevoja e mirëqenies së njeriut të vendit.

E themi këtë, pasi nuk është aspak e vërtetë se Evropa apo hyrja në Evropë ka me i zgjedhur të gjitha këto telashet tona.

Llogaritë janë thjeshtë me i bërë: nga një anë, dikush flet për integrime evropiane, kurse, nga ana tjetër, shumë njerëz që votuan për ata që flasin për integrime ia kanë mësy rrugës drejtë Evropës, pasi integrimi nuk ndodhi dhe akoma e pret një rrugë e gjatë!

Ajo që është duke ndodhur tani për tani nuk mjafton megjithatë për me u bindur menjëherë se ndryshimi i vërtetë është duke trokitur dyerve të këtij vendi.

Procesin aktual duhet me e respektuar si të tillë, duke e plasuar në kontekstin e politikës së vendit që kërkon një respekt të pa rezervë, sipas rregullave të pluralizmit dhe të demokracisë moderne.

Shtrohet pyetje, si do të shpaloset tani ndryshimi i vërtetë ?

Të gjithëve iu ofrohen mundësitë që të shfrytëzojnë potencialin e tyre për me bërë ndryshime. Mirëpo, mundësitë e tilla duhet të shfrytëzohen me mençurinë dhe kapacitetin e duhur, sidomos duke i vënë interesat e gjithmbarshme (e jo vetëm ato personale e politiko-partiake!) në piedestalin e vlerave dhe prioriteteve absolute.

Nëse flitet më konkretisht për ndryshime, atëherë le t’a presim padurim edhe nisjen apo fillimin e shpalosjes së programeve konkrete politike dhe strategjike, duke pritur me ditur se çfarë do të propozohet pra për me kaluar përfundimisht në ndryshime të vërteta dhe konformë nevojave reale të vendit dhe të popullatës.

E interpretojmë këtë si një etapë të paevitueshme të radhës.

Ndryshe me thënë, si do të duken planet apo programet që padurim i pret popullata – dhe të cilat shumë shpejt do të vijnë në rendin e ditës – siç janë shembujt si vijojnë:

Si do të favorizohet (përmes hapave konkrete) një politike për një shtet të mirëfilltë të së drejtës ? E jo vetëm “një shtet të së drejtës” përmes diskurseve të politikës së ditës, siç ndodh shpesh aktualisht.

Si mund të kalohet në promovimin e një politike të vërtetë ekonomike ? Politika e deritanishme nuk ka arritur të dëshmojë ndonjë rezultat të kënaqshëm, sidomos për me siguruar mirëqenien ekonomike të popullatës dhe të shmangies së largimeve nga vendi.

Si do të luftohet korrupsioni dhe nepotizmi (kjo dukuri famëkeqe e dekadave të fundit)? Aktualisht, vërejmë vetëm një “mirëqenie” dhe një komforë të praktikave të kësaj natyre.

Si duket gatishmëria për një përkushtim më serioz ndaj promovimit të parimit të barazisë dhe mos diskriminimit ? E jo për shembull vetëm përmes diskurseve të pareshtura mbi çështjen e “20%”, pa propozime konkrete të implementimit praktik të një propozimi të shpalosur.

Cilat do të jenë masat konkrete për favorizimin e një politike që do t’a zbuste së paku ndërprerjen e “hemorragjisë” së quajtur eksodi masiv ? Aktualisht, vërejmë më tepër akterë politikë të cilët “kënaqen” me cilësinë e spektatorit, duke dhënë kështu edhe përshtypjen se kënaqen me punët e tyre që iu duket se ecin mirë, për to, dhe vetëm për to…!

A do të bëhet diçka konkrete për miratimin e programeve politike dhe mekanizmave institucionalë për favorizimin e investimeve nga diaspora ? Aktualisht, vërehen disa aktivitete përmes programeve të ashtuquajtura politike, por jo edhe të mbështetura në koncepte të qarta mbi zbatueshmërinë e tyre.

A do të ofrohen zgjidhje pragmatike për problemin tashmë aq të përfolur të lojërave të fatit, një problem ky me dëme të mëdha direkte dhe kolaterale ? Aktualisht, zgjidhjet e llojit “500 metra larg shkollave”, simbolizon vetëm një tallje flagrante publike, e jo një alternativë për zgjidhjen reale të këtij problemi serioz.

Duhet pra të ofrohen programe dhe alternativa të tjera, pasi të gjitha këto të deritanishmet nuk i kanë treguar rezultatet e duhura, jo aq sa dikush mundohet me bindur dikë.

Vetëm fakti i largimeve masive nga vendi, e sidomos i rinisë, e dëshmon qartazi rezultatin e punëve të bëra !

Le të mos bartet sërish fajësia tek “trendët e globalizimit”, pasi kjo nuk është aspak e vërtetë ! Njerëzit te na nuk largohet nga vendi “në emër të njëfarë dinamike të globalizimit botëror”, por për arsye kryesisht të tjera, për arsye posaçërisht ekonomike dhe të politikave të gabuara apo të dështuara në vendin tonë.

E gjithë kjo që u cek mësipërm n’a shtynë që të përfundojmë me thënien: shpresojmë dhe urojmë që të ndodhin dhe të konkretizohen ndryshimet që kanë nisur…

Shkruan: Lirim Begzati – Ekspert juridik shqiptar në Zvicër

Show More

Related Articles

Back to top button