Mijëra fermerë u mblodhën në kryeqytetin Madrid, në kuadër të protestave që nisën në Spanjë më 6 shkurt duke bllokuar rrugët me traktorët e tyre, raporton Anadolu.
Fermerët që donin të hynin në qendër të qytetit të Madridit nga pesë rrugë kryesore, me vendim të guvernatorit u ndaluan nga xhandarmëria dhe policia në shumë pika. Vetëm 50 nga rreth 600 traktorë u lejuan të hynin në qendër të qytetit. Fermerët që mbetën jashtë qytetit me traktorët e tyre mbyllën unazën e Madridit për trafikun.
Herë pas here ka patur tensione mes fermerëve dhe forcave të sigurisë. Që nga orët e mëngjesit Sheshi i Pavarësisë (Plaza de la Independencia), vendtakimi i fermerëve në qendër të qytetit dhe rrethinat e tij është mbyllur plotësisht për trafikun.
Fermerët që erdhën në Madrid për protestën dhe fermerët që arritën në shesh me traktorët e tyre donin të shkonin drejt ndërtesës së Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Peshkimit. Megjithatë, policia ndërhyri ndaj fermerëve që donin të kalonin rrugën e lejuar të marshimit.
Gjatë incidenteve ka patur persona të ndaluar si në qendër të qytetit ashtu edhe në rrugët përreth. Fermerët vazhdojnë protestat në qendër dhe në unazën e Madridit.
Një nga fermeret që mori pjesë në protestë, Amada Almeda për Anadolu tha: “Ka vetëm një gjë që duam dhe kjo është paga e drejtë. Ne duam të paguhen paga të drejta për produktet tona. Ne vijmë nga një fshat në Cuenca. Problemet tona vazhdojnë prej 45 vitesh. Të njëjtat probleme ishin edhe në kohën e gjyshit, por mjaft. Ne duam më pak premtime dhe më shumë vepra”.
Fermerja Julia Lopez tha se çmimet e produkteve që vijnë nga fushat duhet të rriten. “Nuk mund të vazhdojmë kështu. Hapat që do të ndërmarrë qeveria do të përcaktojnë rrjedhën e veprimeve tona”, tha Lopez.