BotaLajme

Zelensky i lutet Kongresit amerikan ta miratojë pakon e ndihmës për Ukrainën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje Kongresit amerikan ta kalojë një pako prej 60 miliardë dollarësh ndihmë për vendin e tij, për t’u mbrojtur kundër forcave pushtuese të Rusisë, duke thënë se kjo është alternativë më e lirë sesa pasojat e një fitoreje ruse.

Në një intervistë për televizionin konservator Fox News më 22 shkurt, dy ditë para përvjetorit të dytë të pushtimit të Ukrainës nga Rusia – Zelensky paralajmëroi se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të futet edhe më thellë në Evropën Lindore nëse e zapton Ukrainën.

“Nëse ata [Kongres] duan të jenë shumë pragmatikë, çmimi që ne po e kërkojmë tani… është më i vogël sesa ai që do të jetë në të ardhmen nëse [Rusia] do të futet në vendet e NATO-s”, tha Zelensky.

“A do të mbijetojë Ukraina pa mbështetjen e Kongresit? Natyrisht. Por, jo të gjithë ne”, shtoi ai, derisa i fitoi presidentin Joe Biden dhe Donald Trumpin, i cili është në rrugë për t’u nominuar për president nga Partia Republikane, ta vizitojnë Ukrainën dhe të jenë dëshmitarë të gjendjes në vijat e frontit të “kësaj tragjedie”.

Pas katër muajsh debat, Senati amerikan e miratoi në fillim të këtij muaji një projektligj për shpenzime plotësuese nga i cili Ukrainës i ndahen rreth 60 miliardë dollarë, kryesisht për blerjen e armëve dhe pajisjeve ushtarake. Megjithatë, një grup i republikanëve të ekstremit të djathtë në Dhomën e Përfaqësuesve e kanë bllokuar atë, sepse synojnë ta lidhin atë me reformat e emigrimit në SHBA.

Kjo vonesë është duke pasur pasoja të mëdha në fushëbetejë, pasi forcave ukrainase po u harxhohet municioni dhe armët për mbrojtje ajrore. Javën e kaluar, forcat ruse e zaptuan qytetin lindor Avdivka, duke e shënuar fitoren e parë të madhe për Kremlinin prej majit 2023.

Duke folur për Fox News, Zelensky iu lut drejtpërdrejt amerikanëve konservatorë, mbështetja e të cilëve për Ukrainën është zvogëluar në vitin e fundit.

Sipas një sondazhi nga Qendra Hulumtuese Pew, gati gjysma e qytetarëve amerikanë të cilët identifikohen si republikan apo që ua mbajnë anën republikanëve, thonë se Shtetet e Bashkuara po i japin shumë mbështetje Ukrainës.
Vetëm një në gjashtë njerëz të cilët identifikohen si demokrat apo ua mbajnë anën demokratëve, kanë qëndrim të njëjtë.

“Në krye të luftës ukrainase [për ndihmë], presidenti Zelensky po u flet republikanëve përmes një mediumi që konservatorët e shikojnë më së shumti”, tha për Radion Evropa e Lirë Daniel Vajdich, president i Yorktoën Solutions, një firmë lobuese nga Uashingtoni, klient i së cilës është edhe Ukraina.

Zelensky i adresoi shqetësimet e ngritura shpesh nga republikanët e ekstremit të djathtë për ndihmën, korrupsionin, zgjedhjet dhe një marrëveshje për paqe.

Ai tha se ndihma amerikane – Uashingtoni ka qenë dukshëm donatori më i madh i Kievit – shkon për nevoja ushtarake dhe jo për pensione ukrainase. Në fakt, disa demokratë kanë argumentuar, shumica e ndihmës shkon për kompanitë amerikane, të cilat marrin kontratat për ta furnizuar Kievin me armë.

Zelensky tha se Qeveria ukrainase po vazhdon me reformat kundër korrupsionit të mbështetura nga Perëndimi dhe e mohon se po kërkon t’i shtyjë zgjedhjet për të mbetur në pushtet. Ai tha se Kushtetuta s’e lejon mbajtjen e zgjedhjeve në kohë lufte.

Zgjedhjet presidenciale të Ukrainës ishin caktuar për këtë vit.

I pyetur për mundësinë e bisedimeve për paqe, lideri ukrainas tha se Putinit nuk mund t’i zihet besë, duke shtuar se lideri rus nuk do të heqë dorë kurrë nga përpjekjet për ta pasur në dorë Ukrainën.

Ai tha se pozita e Putinit në bisedime do të dobësohet me kohë, derisa Rusia pëson më shumë humbje në fushëbetejë.
Në ndërkohë, tha ai, Ukraina do të përgatitet për një kundërofensivë tjetër dhe premtoi se forcat ruse në jug do t’i marrin “disa befasi”.

Kjo intervistë u bë saktësisht dy javë pasi komentuesi i njohur konservator, Tucker Carlson – dikur ndër prezantuesit më të njohur në Fox – e transmetoi intervistën e tij me presidentin rus Putin.
Lideri autoritar rus pretendoi në intervistë se Ukraina është kërcënim për Rusinë, sepse po kërkon t’i bashkohet NATO-s.

I pyetur se kur do të përfundojë lufta, Zelensky tha se kjo varet nga vendosmëritë e Perëndimit. Ai tha se Perëndimi druhet se çfarë do të ndodhë me Rusinë – fuqinë e dytë më të madhe bërthamore në botë – nëse e humb luftën.
“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt”, tha Zelensky.

“Kur do të jetë bota e gatshme ta ndalë Putinin? Epo, të jemi të sinqertë. Bota nuk është e gatshme vërtet që Putini të jenë në gjendje ta humbë pushtetin. Bota ka frikë nga ndryshime në Federatën ruse”, shtoi ai.

Show More

Related Articles

Back to top button