Presidenti amerikan Joe Biden theksoi se miratimi i projektligjit për ndihmën e huaj nga Dhoma e Përfaqësuesve dërgon një “mesazh të qartë” për udhëheqjen e SHBA në botë.
“Anëtarët dypartianë të dhomës së përfaqësuesve votuan për të çuar përpara interesat tona të sigurisë kombëtare dhe për të dërguar një mesazh të qartë për fuqinë e lidershipit amerikan në skenën botërore. Në këtë moment kritik, ata janë bashkuar për t’iu përgjigjur thirrjes së historisë, duke miratuar legjislacionin e nevojshëm urgjent të sigurisë kombëtare për të cilin kam luftuar me muaj për t’i siguruar”, tha Biden.
Ai i kërkoi Senatit që t’i miratojë këto ligje sa më shpejt që të jetë e mundur dhe t’ia dërgojë atij në mënyrë që ai t’i nënshkruajë dhe armët dhe pajisjet të dërgohen shpejt në Ukrainë.
Pas muajsh betejash politike, Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA miratoi një paketë prej 95 miliardë dollarësh që ofron rreth 60 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, 26 miliardë dollarë për Izraelin dhe rreth 10 miliardë dollarë për rajonin Indo-Paqësor.
U miratua gjithashtu një ligj që afroi një hap më afër ndalimit të Tik-Tok në SHBA, si dhe një ligj që ndalon financimin e një agjencie të OKB-së që ndihmon palestinezët dhe refugjatët palestinezë.