LajmeMaqedoni

Votoni për ne, jemi më të mirët…!

“Jemi më të mirët, votoni për ne” thotë njëra palë. “Votoni për ne, jemi më të mirët”, kundërpërgjigjet pala tjetër.

Një fushatë e paparë zgjedhore, jo aq e zakonshme, jo si të tjerat, pra atipike, e integruar në analet e historisë së një pluralizmi të çudirave, e shumë pak të meritës për lëvdata.

Një kopjim i disa praktikave tashmë aq të njohura e të përfolura të së kaluarës, duke i mbetur besnik vazhdimësisë së disa traditave të palëkundura, bile edhe duke i pasuruar me një gjuhë të një tonaliteti akoma më brengosës.

U fillua me kultivimin e një forme trashëgimie të quajtur parti pas partie, me përçarje pas përçarje, me sharje pas sharjesh, u vazhdua me fyerje pas fyerjesh, me premtime pas premtimesh.

E përfundua në një qorrsokak, duke mos hapur një horizont të mjaftueshëm qartësie për me e ditur se ku ka me na çuar e me përfunduar i gjithë ky labirint politik sui generis.

Gjithë ajo energji e përdorur për me ofenduar e injoruar njëri-tjetrin, për me e nënçmuar punën e tjetrit, për me e mbivlerësuar dhe e lavdëruar vetëm punën e vetvetes. Gjithë ajo energji vetëm për me përmendur e kritikuar individë e parti.

Sa pak energji e përdorur për me punuar me tema dhe probleme konkrete, për me dalur nga krizat e thella dhe të njëpasnjëshme. Sa pak energji për me punuar me temat kyçe dhe për çështjet që i preokupojnë realisht votuesit, interesat e gjithmbarshme.

Në mjediset tona, shpesh dëgjohet thënia “te na kështu punohet, dhe se nuk mundet me vepruar ndryshe, është e vetmja mënyrë për me fituar, për me bërë diçka, për me e mposhtur tjetrin…”.

Një vlerësim ky me siguri i gabuar, thjesht pasi që me filozofit dhe praktikat e tilla të punës gjendemi sot aty ku gjendemi. Kërkohet pra të veprohet ndryshe, nëse vërtetë dëshirohet të shkohet përpara apo të bëhen ndryshime!

Funksionimet e tilla të mbrapshta ndikuan me siguri edhe në shtimin e përçarjeve në mesin e popullatës dhe konfuzioneve tek trupi elektoral, tek votuesi, te të cilët tepër e më tepër shtohet ndërkohë numri i atyre që janë lodhur, që s’dijnë më për kë me votuar.

Është lodhur edhe një pjesë e madhe e diasporës. Në fakt, edhe pse diaspora nuk u harrua në debatet e protagonistëve të ndryshëm, ajo u përmend nga pak dhe kohë pas kohe, por ajo u kujtua më tepër në momentin e fundit, atëherë kur u afruan votimet.

Diasporës iu përforcua gjithashtu edhe epiteti i “faktorit të rëndësishëm për me votuar për të tjerët”, por jo edhe me qenë aktor aktiv i rëndësishëm i proceseve politike të këtij shteti. Asgjë e befasishme nga e gjithë kjo, kështu ka qenë gjithmonë!

Nuk u dëgjuan as propozime e as programe të besueshme konkrete për problematikën e eksodit masiv, e lere më për promovimin e një politike koherente apo për bërjen e ndonjë hapi konkret për stimulimin e kthimit në vend.

U shprehën ndjenjat identitare e kombëtare, u ritheksua nevoja e ndryshimeve kushtetuese, u shumëfishuan kërkesat për ndihmë e mbështetje, brenda dhe jashtë vendit.

Një traditë diskursi e veprimi, e kopjuar apo e prirë nga kalkulimet politike, e cila ose iu takon më së tepërmi strategjive të zgjedhura të së kaluarës, ose nuk i përshtatet ashtu siç duhet realitetit të kohës dhe të vendit.

Mungojnë shumë gjëra, mungon harmonia, konsensusi dhe koordinimi, komunikimi konstruktiv, respekti i ndërsjellë, mungon përgjegjësia politike dhe etika profesionale, mungon pragmatizmi i duhur në aksionin politik.

Aq shumë zhurmë, aq shumë kacafytje, saqë nuk është aspak lehtë të hasësh sot në këtë rrëmujë diçka konkrete apo ti biesh në fije se çfarë premton konkretisht dikush apo edhe çfarë mund të pritet nga akterët kryesorë të politik bërjes.

Çfarë simbolike interesante janë duke dëshmuar ditëve të fundit kalkulimet për formimin e disa koalicioneve, bile pa i pritur rezultatet e zgjedhjeve. Koalicione qoftë edhe me ato që as nuk mund të ëndërrohej para vetëm disa javësh.

Brenda natës, gati çdo gjë u bë e mundshme. U harruan disa gjëra, u harrua “betimi i Hipokratit”, e sa shpejt u kalua në një reflektim tjetër politik.

Ndoshta emëruesi i përbashkët i këtyre anomalive të përmendura do të identifikohen në një kontinuitet të një rrethi vicioz në skenën politike të Maqedonisë së Veriut. Fatkeqësisht!

E gjithë kjo nuk është pasojë e një rastësie, por produkt i një politike e cila shumë më tepër është dhe ka qenë e fokusuar në interesat e ngushta individuale, politike, partiake se sa në interesat reale dhe të gjithmbarshme të popullatës dhe të vendit.

Diçka është e sigurt: vendi ka nevojë për ndryshime, edhe atë për ndryshime rrënjësore, por jo vetëm në kuptim të ndryshimit të individëve, partive e posteve.

Me u kënaqur vetëm me përsëritjen e formulave të kalimit të pushtetit dhe qeverisë nga një parti në tjetrën, nuk është zgjidhje.

Kërkohet që ndryshimet e tilla të shoqërohen edhe me reforma konkrete institucionale, politike, ekonomike, të drejtësisë, por edhe me reforma në funksionimin e vetë partive, nga të cilët kërkohet një integrim në një pluralizëm të shëndosh e konstruktiv.

Për ndonjë vlerësim tjetër, sadopak më optimist, do të kërkohej si parakusht shumë më tepër unitet, kohezion shoqëror dhe politik, pragmatizëm dhe mençuri veprimi, frymëzim në modelet e demokracive moderne, promovim i një pluralizmi konstruktiv e jo të inateve.

Tash për tash, të gjitha këto mungojnë nga pak, kështu që bëhet shumë!

Me gjithë këtë konfiguracion kompleks të politikës së zhvilluar në këtë shtet, nuk do të ishte aspak e drejt të pretendohet se është vështirë të hasësh në njerëz të politikës që kanë punuar dhe punojnë korrekt, që japin mundin për të mirën e popullit dhe vendit, që posedojnë potencialin për ndryshime.

Ata kanë ekzistuar dhe ekzistojnë akoma. Pasi numri i tyre nuk është aq i madh, nuk do të duhej që të jetë edhe aq vështirë për me i identifikuar për me iu dhënë votën tyre më 8 maj.

Le të fitoj më i miri, le të fitoj demokracia. Dhe ashtu si gjithmonë, pak kohë ka me kaluar për me dëshmuar më së miri se kush ka më tepër të drejtë, e kush do ta kishte gabim.

Ky shkrim nuk është një porosi për mos me votuar. Përkundrazi, duhet me votuar, por jo për ata që kanë prirje vetëm për me shpërndarë pluhur në sytë e të tjerëve, vetëm për me e parë veten më mirë.

Shkruan: Lirim Begzati – Ekspert juridik në Zvicër

Show More

Related Articles

Back to top button