Numri i viktimave nga përmbytjet shkatërruese që goditën prej ditësh jugun e Brazilit ka kaluar mbi 100 të vdekur dhe 128 të zhdukur, ndërsa janë prekur rreth 80 komunitete indigjene.
Kjo është bërë e ditur autoritetet lokale, ndërkohë që kërkimet për dhjetëra persona ende të zhdukur u ndërprenë nga stuhitë e reja.
Rreth 400 komuna janë goditur nga fatkeqësia më e keqe natyrore që ka prekur ndonjëherë shtetin brazilian të Rio Grande do Sul, me qindra njerëz të lënduar dhe mbi 160,000 të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.
Këto përmbytje të paprecedenta janë rezultat i reshjeve intensive dhe të përqendruara të javës së kaluar, kur sasia e pritshme për të gjithë sezonin ra në vetëm katër ditë.
Një hetim i kryer në shtypin brazilian zbulon se gjatë gjithë vitit 2023, Këshilli Bashkiak i Porto Alegre, kryeqyteti i Rio Grande do Sul, nuk ka bërë asnjë investim në parandalimin e përmbytjeve, pavarësisht se departamenti përgjegjës për atë zonë ka një buxhet prej 84.5 milionë dollarësh, sipas të dhënave të Portalit të Transparencës.
Që nga vitet 1960, kryeqyteti i Rio Grande do Sul ka pasur 68 kilometra diga, mure mbajtëse, porta përmbytëse dhe pompa për të mbrojtur qytetin. Megjithatë, kishte mungesë të mirëmbajtjes për dekada që lejoi përmbytjet.
Një element tjetër që mund të shpjegojë përmasat e katastrofës, përveç ndryshimeve klimatike dhe situatës së jashtëzakonshme meteorologjike, është edhe zbutja e legjislacionit që rregullon mjedisin dhe që rregullon ofertën për punët publike.
Ndër ndryshimet kryesore, spikat lehtësimi i kërkesave dhe vetë-certifikimi për dhënien e licencave mjedisore, diçka që përfundoi në favor të interesave të biznesit.
Ambientalistët dhe teknikët e sektorit vunë në dukje disa të meta dhe pengesa në Kodin e ri Mjedisor të Rio Grande do Sul, sipas mendimit të tyre, ai çmontoi përparimet e dekadave në mbrojtjen e mjedisit.
Për momentin nuk ka asnjë parashikim për përmirësim për këtë rajon të Brazilit jugor, i cili në ditët në vijim pret stuhi të reja me breshër dhe erëra deri në 100 km. në orë.
Përballë kësaj situate katastrofike, qeveria federale, e udhëhequr nga Luiz Inácio Lula da Silva, ka shpallur një gjendje fatkeqësie në 336 komuna të Rio Grande do Sul. Kjo do t’i lejojë këto bashki të marrin transferta të fondeve federale më shpejt dhe me më pak burokraci. /A2CNN