Parlamenti i Gjeorgjisë ka votuar ligjin përçarës për “agjentët e huaj” që ka shkaktuar protesta masive në rrugë për javë të tëra.
Megjithatë, projektligji tani përballet me një veto të mundshme nga presidentja e Gjeorgjisë, të cilin Parlamenti mund ta anashkalojë duke mbajtur një votim shtesë.
Kritikët thonë se projektligji, të cilin ata e quajnë “ligji i Rusisë” – mund të përdoret për të kërcënuar liritë civile.
Mijëra njerëz u mblodhën pranë parlamentit në Tbilisi për të protestuar kundër vendimit.
Të hënën, kryeministri Irakli Kobakhidze paralajmëroi se nëse autoritetet tërhiqen në leximin e tretë të projektligjit, Gjeorgjia do të humbiste sovranitetin dhe “me lehtësi do të ndajë fatin e Ukrainës”, pa dhënë detaje se çfarë donte të thoshte.
Protestuesit sulmuan policinë që ruante hyrjet anësore të ndërtesës.
Atmosfera ka qenë e tensionuar edhe brenda parlamentit, me përplasje fizike dhe verbale mes deputetëve pro qeverisë dhe opozitës.
Teksa hynte në ndërtesën e Parlamentit, presidentja Salome Zourabichvili, një kundërshtare e kryeministrit Kobakhidze i ka thënë BBC-së se do të vendoste veton ndaj ligjit.
Përleshje mes deputetëve në Parlamentin e Gjeorgjisë
Një përleshje ka ndodhur të martën në Parlamentin gjeorgjian, derisa ligjvënësit po debatonin një projektligj kontroversal, të cilin kritikët e shohin si kërcënim për liritë demokratike.
Deputeti i partisë “Ëndrra Gjeorgjiane”, Dimitri Samkharadze po lëshonte akuza në drejtim të Levan Khabeishvili, kryetari i partisë kryesore opozitare “Lëvizja e Bashkuar Kombëtare”, për organizimin e turmave për të rrahur mbështetësit e opozitës, raporton AP.
Ditët e fundit, një varg protestuesish dhe anëtarë të opozitës janë rrahur.
Opozita i ka lidhur incidentet me protestat masive që kanë përfshirë kombin e Kaukazit Jugor prej 3.7 milionë banorësh.
Parlamenti i Gjeorgjisë filloi të martën leximin e tretë dhe të fundit të projektligjit përçarës që do t’u kërkonte mediave dhe organizatave joqeveritare dhe organizatave të tjera jofitimprurëse të regjistrohen si “në ndjekje të interesave të një fuqie të huaj” nëse marrin më shumë se 20% të financimit të tyre nga jashtë.
Opozita e denoncon projektligjin si “ligji rus”, sepse Moska përdor legjislacion të ngjashëm për të goditur mediat e pavarura të lajmeve, organizatat jofitimprurëse dhe aktivistët kritikë ndaj Kremlinit.
Projektligji është pothuajse identik me atë që partisë qeverisëse “Ëndrra Gjeorgjiane” iu bë presion për të tërhequr vitin e kaluar, pas protestave në rrugë. Demonstratat e rikthyera kanë tronditur Gjeorgjinë për javë të tëra, me demonstruesit që u përleshën me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmat.
Qeveria thotë se projektligji është i nevojshëm për të frenuar atë që ajo e konsideron si ndikim të dëmshëm të huaj mbi politikën e vendit, dhe për të parandaluar aktorët e huaj të paspecifikuar që të përpiqen ta destabilizojnë atë.
Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili, e cila është gjithnjë e më shumë në kundërshtim me partinë qeverisëse, është zotuar të vërë veton ndaj ligjit, por “Ëndrra Gjeorgjiane” ka një shumicë të mjaftueshme për të anashkaluar veton presidenciale.