Nëse në Maqedoni do të mbahej një referendum për hyrjen në Bashkimin Evropian më shumë se treçereku i popullsisë do të votonin pro. Kështu janë përgjigjur mbi 68 për qind e të anketuarve në pyetjen hipotetike të hulumtimit multinacional për Ballkanin Perëndimor të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) për Ballkanin Perëndimor. Anketa është e zbatuar në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi dhe Serbi në periudhën midis 2 shkurtit dhe 5 marsit të këtij viti.
Nga ana tjetër më shumë sesa politikat e jashtme ballkanasit janë të preokupuar me probleme të tjera, ekzistenciale. Tek prioritetet e tyre dominojnë çështjet ekonomike, papunësia, korrupsioni. Se korrupsioni është një problem shumë serioz mendojnë mbi 72 për qind e të anketuarve, ku më shumë se gjysma e vënë gishtin tek vjedhja dhe keqmenaxhimi i fondeve dhe përfitimet personale. Më të korruptuarit konsiderohen politikanët dhe gjykatësit.
“Përveç Shqipërisë, ku papunësia është problemi kryesor, çmimet e larta dhe shpenzimet e jetesës paraqesin shqetësimin më të madh për qytetarët në pesë vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Krahas kësaj, në të gjitha gjashtë vendet, korrupsioni paraqitet si një nga tre problemet kryesore”, thuhet në hulumtim.
Sa i takon integrimeve, shumica do të votonte për inkuadrimin drejt BE nga 68 për qind në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnjë e Hercegovinë deri në 92 për qind në Shqipëri. Në Serbi, vetëm pak më shumë se 40 për qind e mbështesin inkuadrimin drejt BE-së. Po ashtu shumica e konsideron luftën ruse kundër Ukrainës si të pajustifikuar. Por pavarësisht mbështetjes që i japin vendit për eurointegrimin qytetarët nga RMV, thuajse gjysma (48 për qind) nuk i konsiderojnë serioze përpjekjet e BE për t’i ofruar anëtarësimin vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Pol Makarti, drejtor për Evropën në IRI, duke e komentuar anketën vlerëson se ekziston një dëshirë e fuqishme në Ballkan për përforcimin e lidhjeve mes ekonomitë botërore dhe për aderimin drejt BE-së.
“Kjo mbështetje e gjerë tregon se njerëzit nga mbarë rajoni besojnë se integrimi i mëtutjeshëm në Bashkimin Evropian mund të ndihmojë për arritjen e një prosperiteti të qëndrueshëm”, thotë Makarti.
Në lidhje me këtë, një shumicë qytetarësh në të gjitha vendet, përveç Serbisë, mbështesin një kurs të politikës së jashtme pro-BE dhe pro-perëndimore. Në veçanti, 87% e të anketuarve në Kosovë dhe 82% në Shqipëri janë përgjigjur se politika e jashtme e vendit të tyre duhet të orientohet ekskluzivisht drejt Perëndimit dhe BE-së.
Ndërsa në Maqedoni vetëm 31 për qind mbështesin kursin e politikës së jashtme pro-BE dhe pro-perëndimore, 23 për qind të tjerë kërkojnë orientim të njëjtë Perëndimor dhe Rusi. Anketa, gjithashtu ka treguar se shumica në pesë nga gjashtë vendet e anketuara beson se lufta ruse kundër Ukrainës është tërësisht ose deri diku e pajustifikuar. Në Serbi, pjesa më e madhe prej 49 për qind plotësisht ose deri diku e justifikojnë Rusinë.\Koha\