BotaLajme

Stoltenberg: Sulmi i Rusisë në Ukrainë, në shkelje të ligjit ndërkombëtar

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se Rusia shkeli ligjin ndërkombëtar duke sulmuar Ukrainën dhe se Kievi ka të drejtën të vetëmbrohet dhe vendet e NATO-s kanë të drejtën ta ndihmojnë atë.

Stoltenberg foli gjatë një deklarate të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Bullgarisë, ku po mbahet sesioni i pranverës i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

“Sulmi i Rusisë në Ukrainë është një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar. Sipas ligjit ndërkombëtar, Ukraina ka të drejtën të mbrohet. Vetëmbrojtja është e sanksionuar në Kartën e OKB-së, vetëmbrojtja sanksionohet në ligjin ndërkombëtar. Pra, Ukraina ka të drejtën të mbrohet nga sulmi rus. Ne kemi të drejtën si vende aleate në NATO që ta ndihmojmë Ukrainën të ushtrojë të drejtën për vetëmbrojtje”, tha Stoltenberg.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s gjithashtu tha se qeveritë e vendeve të NATO-s duhet të rishikojnë kufizimet që i kanë vendosur Ukrainës për përdorimin e armatimeve që i dërgojnë.

“Disa nga aleatët i kanë hequr kufizimet, të tjerët jo. Mesazhi im është se mendoj që duhet t’i rishqyrtojmë këto kufizime, pasi duke patur kufizime të tepruara po ua lidhim njërën dorë forcave ukrainase. Kufizimet ulin kapacitetet që të mbrohen. Sërish, këto janë vendime të vendeve anëtare dhe jo të NATO-s dhe ka kufizime të ndryshme për lloje të ndryshme armësh. Nuk them se nuk duhet të ketë fare kufizime në të ardhmen, por them se duhet t’i rishqyrtojmë kufizimet në veçanti duke patur parasysh luftimet që po bëhen tani në rajonin Kharkiv, ku rusët mbrohen duke qëndruar pas vijës së kufirit që është pothuajse i njëjti me vijën e frontit”, tha Stoltenberg.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjendet ndërkaq në një vizitë në Spanjë. Ky vend do të angazhohet nëpërmjet një marrëveshje dypalëshe sigurie që ta furnizojë Ukrainën me armatime me vlerë 1.23 miliardë dollarë.

Zoti Zelensky u bëri thirrje më herët vendeve partnere që dënimi ndërkombëtar i sulmeve vdekjeprurëse të Rusisë në Kharkiv të sjellë edhe pasojat e duhura për forcat ruse.

“Është e rëndësishme që partnerët tanë të kenë vendosmërinë e duhur për mbrojtje parandaluese ndaj terroristëve rusë, njësoj siç do të godisnin çdo terrorist tjetër – duke i shkatërruar përpara se të fillojnë të marrin jetë njerëzish”, tha ai.

Presidenti ukrainas duket se iu referua kufizimeve të vendosura nga vende aleate si Shtetet e Bashkuara, që ia ndalojnë Ukrainës përdorimin e armëve amerikane për të goditur objektiva brenda territorit të Rusisë. /VOA

Show More

Related Articles

Back to top button