Të paktën 35 shkolla të periferisë së Attikës janë alarmuar mëngjesin e sotëm pasi kanë marrë emaile paralajmëruese dhe kërcënuese për shpërthime bombash.
Menjëherë, policia është vënë në alarm dhe kanë nisur hetimet, por nga informacionet e para, u duk se bëhej fjalë për një farsë. Shërbimi i krimit kibernetik thotë se ka dërgesë masive emailesh nga i njëjti dërgues, i cili dyshohet se është një haker rus.
Por, lajmi ka shkaktuar shqetësim në disa shkolla, ku nxënësit dhe mësuesit kanë dalë jashtë ndërtesave.
Emailet kërcënuese që janë dërguar nga jashtë Greqisë janë marrë nga shkollat e zonave si Gerakas, Galatsi, Haidari dhe N. Jonia, ku autoritetet e konsiderojnë ngjarjen si jo të rëndë.
Ndërtesat shkollore u evakuuan dhe autoritetet policore për arsye paraprake kanë kryer kontrolle në vend. Siç u bë e ditur, nga shqetësimi i shkaktuar nxënësve dhe pedagogëve, shërbimi urgjent i policisë ka marrë dhjetëra telefonata nga shkolla të ndryshme të Atikës. Hetimi i autoriteteve është në vazhdim edhe në disa shkolla për arsye sigurie.
Ndërkohë, në shumë shkolla pasi ka përfunduar kontrolli, nxënësit kanë hyrë në klasa dhe po vazhdojnë mësimin. Sipas informacioneve nga Ministria e Arsimit bëhet fjalë për emaile spam dhe policia i konsideron kërcënimet farsë duke njoftuar prindër dhe mësuesë se nuk ka asnjë rrezik.