Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe presidenti finlandez, Alexander Stubb, kanë siguruar aleatët se Rusia nuk përbën kërcënim aktual ushtarak për bllokun transatlantik.
Megjithatë, gjatë një paraqitjeje të përbashkët në Helsinki, Finlandë, të enjten, dyshja paralajmëruan se shtetet e NATO-s duhet të mbështesin Ukrainën dhe ushtritë e tyre për të penguar çdo agresion të ardhshëm nga Moska, transmeton Telegrafi.
“Ne nuk shohim ndonjë kërcënim të afërt ushtarak kundër ndonjë aleati të NATO-s”, u tha Stoltenberg gazetarëve në pallatin presidencial në kryeqytet.
“Rusia është më se e preokupuar me luftën kundër Ukrainës,” shtoi ai, duke vënë në dukje se Moska ka ridislokuar shumë nga forcat e saj të vendosura tradicionalisht përgjatë kufijve të NATO-s në fushëbetejë të Ukrainës.
“Kur luftimet përfundojnë në Ukrainë, ata mund t’i rindërtojnë ato forca”, tha Stoltenberg.
“Por, përsëri, kjo nuk do të thotë se ne shohim ndonjë rrezik për sulm të afërt kundër ndonjë aleati të NATO-s, sepse NATO është 50 për qind e fuqisë ushtarake botërore. NATO është aleanca dhe fuqia më e fortë ushtarake në botë”, shto ai.
“Kjo ide se ka një lloj numërimi mbrapsht për luftën e ardhshme është e gabuar”, shtoi Stoltenberg.
“E gjithë ideja që një vend si Rusia do të sulmonte apo frikësonte disi aleancën më të madhe ushtarake në botë, më duket mjaft e pabesueshme”, tha Stubb, i cili mori detyrën në mars pak para se Finlanda të bëhej anëtarja më e re e NATO-s.