Pas zgjedhjeve në Maqedoni të Veriut, por edhe pas disa “lojërave” jo aq miqësore, u shpalosën disa llogari sadopak të pakuptueshme në këndvështrimin juridik, bile edhe në atë politik.
Ditën e djeshme mandati për formimin e qeverisë iu dorëzua fituesit të zgjedhjeve.
Sot për sot, ekziston një rregull e qartë. Pasi t’i jepet mandati nga kryetari i shtetit, mandatari vendos pastaj për atë se me cilin grup apo partner politik dëshiron të futet në koalicion apo t’a formoj qeverinë.
Edhe para se “zbarkon” formalisht mandati, ekziston një fushë e lirë veprimi për bërjen e kalkulimeve dhe formimit të koalicioneve, pra që nga momenti i njohjes së rezultateve të zgjedhjeve. Dhe pikërisht kështu ndodhi, ashtu si gjithmonë!
Kjo mësohet edhe në “shkollat politike verore”, pa pasur nevojë për studime të thelluara universitare.
Në kontekstin e Maqedonisë së Veriut – me plotë arsye – nuk kanë munguar kalkulimet që në koalicion qeveritar të futen domosdo edhe parti politike shqiptare, por asnjëherë sipas ndonjë rregulle që në koalicion të futet vetëm partia që ka fituar pak më tepër apo më pak vota.
Kështu ka qenë gjithmonë, dhe është akoma, sot e kësaj dite. Qoftë kjo një rregull e cila me gjithë legjitimitetin dhe bazamentin e saj demokratik, ngërthen në vete ca rreziqe, sidomos në rastet kur partia fituese nuk punon konformë nevojave të menaxhimit konstruktiv të diversitetit, kohezionit shoqëror dhe realitetit multietnik të këtij shteti.
Nëse rregullat kushtetuese dhe ligjore e parashikojnë qartë çështjen e besimit të mandatit qeveritar, nuk hasim pra ndërkohë edhe rregulla të tjera që parashikojnë formula të llojit, për shembull, “fituesi me fituesin”, “fituesi nga partitë maqedonase dhe fituesi nga partitë shqiptarë”, por as për “votat e pastra dhe të papastra”.
Mbi të gjithat, rregullat ligjore, kushtetuese, përfshirë këtu edhe ato të formimit të qeverisë duhet domosdo të respektohen, si në një proces zgjedhor, ashtu edhe në atë post zgjedhor.
Dihet se kjo gjendje e krijuar në Maqedoni të Veriut nuk i konvenon gjithsecilit. Nëse tani gjendemi në këtë situatë, ku merren disa vendime për formim koalicionesh që dikujt i duken të pakapshme apo të papranueshme, nuk ka nevojë me shkuar larg për me i gjetur arsyet apo fajtorët.
As nuk do të ishte e ndershme me kërkuar ndihmë tek trupi elektoral, te sovrani, pasi ai veç e ka kryer detyrën e vetë, dhe nuk duhet me e lodhur për çështje që i takojnë tani një niveli tjetër të vendimmarrjes.
Jo pra, nuk duhet me e ç’vlerësuar një formulë aktuale që është në fuqi dhe e cila aplikohet që kahmoti për formimin e qeverisë dhe koalicioneve qeveritare.
Çdokush e ka pasur kohën e vetë në dispozicion, për me punuar, për me shmangur ca telashe, por edhe për me ndryshuar diçka.
Çështjet e ndryshme, në mes të cilave marrëveshjet e Ohrit e të Prespës, majorizimi, aq të përfolura ditëve të fundit, natyrisht se janë të një rëndësie madhore, mirëpo këto çështje nuk do të duhej të ngatërrohen, e as të integrohen në rregullat mbi formimin e qeverisë dhe koalicioneve qeveritare në kontekstin aktual.