NATO nuk duhet të tërhiqet në luftën e Ukrainës, deklaroi presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, duke theksuar se duhet të ketë kthim në diplomaci.
“NATO nuk duhet të hyjë në këtë luftë, veçanërisht me trupa në terren dhe nuk duhet të tërhiqet në këtë luftë, sepse një konflikt i drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe Rusisë mund të çojë në një konflikt global me armë bërthamore, i cili do të kishte pasoja, të cilat nuk do të jenë në favor të Europës ose Ukrainës”, theksoi presidenti bullgar.
Ai theksoi se duhet t’i kthehemi sa më shpejt diplomacisë dhe të përgatisim terrenin për diskutime në mënyrë që të shmangim këtë çështje në të ardhmen”, duke nënvizuar se “diplomacia dhe dialogu ofrojnë shumë më tepër zgjidhje në të ardhmen sesa lufta”.
Ai argumentoi se “ne duhet gjithashtu të përfshihemi strategjikisht në negociata”, por gjithashtu “të ndryshojmë fokusin tonë, nga fitimi i luftës në fitimin e paqes”. Në këtë kontekst, ai tha se duhet të përgatitet terreni që kur të vijë koha për negociata mes Rusisë dhe Ukrainës, kur të vendosë Ukraina, të ketë një arsenal të fortë diplomatik për Kievin.
Pasi vuri në dukje se dy vjet e gjysmë më parë askush nuk mund ta imagjinonte një luftë shkatërruese në Europë, siç është ajo në Ukrainë, si dhe zhvillimet tragjike në Lindjen e Mesme, Radev theksoi se në këtë kontekst global objektivat kryesore të Bashkimit Europian duhet të jetë siguria, stabiliteti dhe prosperiteti.
“Çdo ditë e luftës ruse në Ukrainë është një kërcënim për paqen. Kjo luftë tashmë është shndërruar në një luftë rrënimi, në një konflikt ekonomik global, që prodhon dhimbje, shkatërrim”, theksoi presidenti bullgar.
Ai kujtoi gjithashtu se vendi i tij dënoi që në ditën e parë sulmin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës dhe foli për një sërë llogaritjesh të gabuara strategjike si nga ana e Rusisë ashtu edhe nga ana e Europës./abcnews.al