BotaLajme

Presidenti finlandez shpreson në zgjidhjen e mospajtimeve me Turqinë rreth NATO-s

Finlanda dhe Suedia do të jenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje me Turqinë lidhur me kundërshtimin e Ankarasë që këto dy shtete nordike t’i bashkohen aleancës së NATO-s, transmeton REL.

Kështu tha presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto, gjatë një adresimi para Parlamentit suedez më 17 maj.

“Deklaratat nga Turqia kanë ndryshuar shpejt dhe u bënë më të ashpra gjatë ditëve të fundit”, tha Niinisto.

“Por, jam i sigurt se me ndihmën e diskutimeve konstruktive, ne do të arrijmë ta zgjidhim këtë situatë”, tha ai.

Suedia më 17 maj zyrtarisht ka aplikuar për anëtarësim në aleancën ushtarake perëndimore, NATO, ndërkaq Finlanda pritet që ta bëjë të njëjtën gjë së shpejti. Këto dy shtete kanë argumentuar se pushtimi rus i Ukrainës ka ndryshuar situatën e sigurisë në Evropë.

Më 16 maj, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, sërish shprehu kundërshtimin e tij për anëtarësimin e këtyre dy shteteve në NATO.

Ai tha se këto dy shtete kanë dështuar të kenë një qëndrim të fortë kundër militantëve kurdë dhe kanë vendosur sanksione ushtarake ndaj Turqisë.

Show More

Related Articles

Back to top button