BotaLajme

Maduro rizgjidhet president i Venezuelës në votimet e diskutueshme

Presidenti Nicolás Maduro ka fituar zgjedhjet presidenciale të Venezuelës, sipas rezultateve të pjesshme të publikuara nga këshilli zgjedhor.

Me 80% të votave të numëruara, presidenti në largim, Nicolas Maduro, mori 5,150,092 vota ose 51.2%, ndërsa kundërshtari i tij Edmundo Gonzalez Urrutia mori 4.445.978 vota ose 44.02%.

Kjo u bë e ditur nga Këshilli Kombëtar Zgjedhor (CNE), gjashtë orë pas mbylljes së qendrave të votimit, ndërsa pjesëmarrja në votime ishte 59%. CNE denoncoi gjithashtu “një sulm ndaj sistemit që shkaktoi vonesa”.

Opozita denoncoi parregullsitë në numërimin e votave dhe pretendoi për mashtrim të gjerë në numërimin e votave, ndërsa është zotuar të kundërshtojë rezultatin. Ajo ishte bashkuar pas kandidatit Edmundo González për të rrëzuar Maduro pas 11 vitesh në pushtet.

Duke folur para mbështetësve brohoritës në Karakas, Maduro tha se rizgjedhja e tij ishte një “triumf i paqes dhe stabilitetit”.

Ai vlerësoi sistemin zgjedhor të Venezuelës, duke e përshkruar atë si transparent, dhe u tall me opozitën, për të cilën tha se “qan mashtrimin” në çdo zgjedhje.

Menjëherë pas njoftimit të CNE, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, bëri thirrje për një numërim “të drejtë dhe transparent” të votave në Venezuelë.

Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara kishin “shqetësime serioze se rezultati i deklaruar nuk pasqyron vullnetin ose votat e popullit venezuelian”.

Ndërkohë, Kuba, një aleate e ngushtë i qeverisë së Maduros, tha se “populli foli dhe Revolucioni fitoi”.

Opozita kishte dërguar mijëra dëshmitarë në qendrat e votimit në të gjithë vendin për të shpallur vetë numërimin e votave. Por një zëdhënëse e koalicionit të udhëhequr nga zoti González tha se dëshmitarët e tyre ishin “detyruar të largoheshin” në shumë qendra votimi.

Opozita u kishte bërë thirrje gjithashtu mbështetësve të mbanin vigjilencë në qendrat e votimit për të verifikuar procesin e numërimit në “orët vendimtare” pas mbylljes, mes frikës së përhapur se qeveria do të përpiqej të vidhte votat.

 

Show More

Related Articles

Back to top button