Ismail Haniyeh, udhëheqësi politik i Hamasit, u vra të mërkurën nga një mjet shpërthyes në rezidencën e tij në Teheran. Mjeti shpërthyes dyshohet se ishte futur në bujtinë rreth dy muaj më parë, sipas pesë zyrtarëve të Lindjes së Mesme që ia kaluan këtë informacion “New York Times”-it.
Bujtina menaxhohet dhe mbrohet nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike dhe është pjesë e një kompleksi të madh, të njohur si Neshat, në një lagje luksoze të Teheranit Verior.
Haniyeh ishte në kryeqytetin iranian për inaugurimin presidencial. Bomba u shpërthye nga distanca, thanë pesë zyrtarë për “NY Times”-in. Nga shpërthimi mbeti i vrarë edhe një truprojë.
Sipas dy zyrtarëve të Gardës Revolucionare iraniane të informuar për incidentin, shpërthimi tronditi ndërtesën, thyen disa xhama dhe shkaktoi një shembje të pjesshme të një muri të jashtëm.
Izraeli nuk e ka marrë publikisht përgjegjësinë për vrasjen, por zyrtarët e inteligjencës izraelite informuan Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e tjera perëndimore për detajet e operacionit.