Një peticion është paraqitur në gjykatën më të lartë indiane, duke kërkuar një udhëzim për qeverinë federale për të ndaluar licencat për firmat indiane që eksportojnë armë në Izrael.
“India është e detyruar nga ligje dhe traktate të ndryshme ndërkombëtare që e obligojnë të mos furnizojë armë ushtarake për shtetet fajtore për krime lufte, pasi çdo eksport mund të përdoret në shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare humanitare”, thuhet në deklaratë.
Më herët, një grup qytetarësh eminentë në Indi i kishin shkruar ministrit të Mbrojtjes së vendit, duke i kërkuar që të ndalonte procesin e licencimit që u mundëson eksportuesve të dërgojnë armë dhe municione në Izrael.
Izraeli, duke shkelur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Gaza që nga një sulm i 7 tetorit 2023 nga grupi i rezistencës palestineze Hamas.
Rikujtojmë se Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy, tha të hënën se qeveria britanike i ka pezulluar 30 prej 350 licencave të eksportimit të armëve me Izraelin, për shkak të rrezikut se ato mund të përdoren për të kryer shkelje të rënda të ligjit humanitar ndërkombëtar.
Vendimi, i cili u mor një ditë pasi forcat izraelite i nxorën trupat e gjashtë pengjeve nga një tunel në Rripin e Gazës, u dënua shpejt nga një numër i ministrave izraelitë.