Kryeqyteti i Vietnamit, Hanoi, evakuoi mijëra njerëz që jetonin pranë Lumit të Kuq të fryrë, ndërsa ujërat e tij përmbytën rrugët disa ditë pasi tajfuni Yagi goditi veriun e vendit, duke vrarë të paktën 152 njerëz.
Tajfuni më i fuqishëm i Azisë këtë vit, Yagi solli stuhi dhe shira të dendur ndërsa u zhvendos drejt perëndimit pas rënies në tokë të shtunën, duke shembur një urë këtë javë ndërsa po kalonte nëpër provincat përgjatë lumit të Kuq, më i madhi në zonë.
“Kjo është përmbytja më e keqe që kam parë në 30 vjet,” tha për Reuters banorja e Hanoit, Tran Le Quyen, 42 vjeçe, duke shtuar se asaj iu desh të zhvendoste mobiljet nga shtëpia e saj e përmbytur në një zonë më të lartë.
“Ishte thatë dje në mëngjes. Tani e gjithë rruga është e përmbytur. Ne nuk mund të flinim mbrëmë”
Tajfuni, rrëshqitjet e tokës si dhe përmbytjet e mëvonshme kanë vrarë 152 njerëz ndërsa 140 rezultojnë të zhdukur, vlerësoi qeveria.
Disa shkolla në Hanoi u kanë thënë nxënësve të qëndrojnë në shtëpi për pjesën tjetër të javës, ndërsa mijëra banorë të zonave të ulëta janë evakuuar, thanë qeveria dhe media shtetërore.
“Shtëpia ime tani është pjesë e lumit, tha Nguyen Van Hung, 56 vjeç, i cili jeton në një lagje në brigjet e Lumit të Kuq.
Më afër qendrës së qytetit, Fondacioni i Fëmijëve Blue Dragon u desh të evakuonte zyrën e saj të martën, pasi autoritetet paralajmëruan për rreziqet e përmbytjeve.