BotaLajme

Liban, rritet në 12 numri i viktimave nga shpërthimet e pajisjeve “pager”

Numri i viktimave nga shpërthimet e koordinuara të pajisjeve “pager” në të gjithë Libanin u rrit në 12 persona, përfshirë dy fëmijë, raporton Anadolu.

Ministri i Shëndetësisë i Libanit, Firas Al-Abiad, në një konferencë për media në Bejrut njoftoi rreth gjendjes së fundit me shpërthimet, duke u shprehur: “Numri i personave të plagosur shkon midis 2.750 dhe 2.800, me rreth 300 persona në gjendje kritike”.

– Shpërthimet e pajisjeve “pager” në Liban ngjallin debat për origjinën dhe përdorimin e tyre

Ai tha se të paktën 460 operacione u kryen mbi viktimat e shpërthimeve, “shumica e të cilave përfshinin lëndime në fytyrë dhe sy, ndërsa të tjera për amputim të gjymtyrëve”.

“Rreth 15 tonë ndihma mjekësore kanë mbërritur nga Iraku dhe është vendosur komunikimi për ndihmë me Egjiptin, Jordaninë, Türkiyen dhe vendet e tjera”, tha Al-Abiad.

Pajisjet “pager” shpërthyen të martën në disa zona në Liban, përfshirë kryeqytetin Bejrut, për çka është akuzuar Izraeli.

Hezbollahu konfirmoi se të paktën dy anëtarë të organizatës u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në shpërthimin masiv të koordinuar dhe e konsideroi Izraelin plotësisht përgjegjës për incidentin, duke u zotuar për “hakmarrje të drejtë dhe të papritur”.

Shpërthimi masiv i pajisjeve “pager” ndodh në kohën kur midis Hezbollahut dhe Izraelit ndodhin shkëmbime të sulmeve ndërkufitare në sfondin e një ofensive brutale izraelite në Rripin e Gazës, ku ka vrarë më shumë se 41.270 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar.

 

Show More

Related Articles

Back to top button