BotaLajme

Zelenski pritet të paraqesë planin për fitore në luftën me Rusinë gjatë vizitës në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski do të diskutojë planet e tij për të fituar luftën kundër Rusisë të enjten në takimin me presidentin amerikan Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Në këtë takim pritet të diskutohet edhe kërkesa e Ukrainës për përdorimin e armëve të perëndimit për të goditur objektiva në thellësi të territorit të Rusisë.

Udhëheqësi ukrainas thonë se ato janë të nevojshme për të degraduar aftësinë e Rusisë që kryen sulmet të përditshme me raketa dhe dronë në Ukrainë.

Zoti Zelenski tha se ka biseduar me Presidentin Biden të mërkurën gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, duke e falënderuar atë për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën.

Presidenti ukrainas tha gjithashtu se e kishte njoftuar homologun e tij amerikan mbi situatën në vijën e parë të frontit.

Ndërkohë, ish-presidenti amerikan Donald Trump, fajësoi Presidentin Biden dhe Nënpresidenten Kamala Harris, që i kanë premtuar ndihmë ushtarake Kievit në vend që të nxisin udhëheqësit ukrainas që të heqin dorë nga territoret e pushtuara nga Rusia në këmbim të paqes.

“Biden dhe Kamala lejuan që kjo të ndodhte duke furnizuar Zelenskin me para dhe municione si asnjëherë më parë”, tha zoti Trump.

Ish-presidenti republikan thotë se Ukraina duhet të kishte bërë lëshime ndaj Moskës përpara se forcat ruse të fillonin sulmin në shkallë të gjerë ndaj Kievit në shkurt të vitit 2022.

“Çdo marrëveshje, madje edhe marrëveshja më e keqe, do të kishte qenë më e mirë se situata në të cilën jemi tani”, tha zoti Trump.

Ish-presidenti theksoi se Ukraina tani është në një pozicion të vështirë për të negociuar përfundimin e luftës.

“Çfarë marrëveshje mund të bëjë? Ukraina është shkatërruar. Njerëzit kanë vdekur. Vendi është kthyer në gërmadhë”, tha zoti Trump

Ushtria e Ukrainës tha të enjten se rrëzoi 66 dronë dhe katër raketa të lëshuara gjatë natës nga forcat ruse.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha të enjten se kishte rrëzuar katër dronë ukrainas mbi rajonin e Belgorodit, dy dronë mbi rajonin e Kurskut dhe një tjetër dron në Briansk.

Vyacheslav Gladkov, guvernator i rajonit të Belgorodit, tha se një person u vra në njërin nga sulmet me dron që goditi një makinë./VOA

 

Show More

Related Articles

Back to top button