BotaLajme

Florida përgatitet për uraganin shkatërrues “Milton”, evakuohen një milion banorë!

Banorëve të Floridës nuk u ka mbetur edhe shumë kohë për t’u evakuuar ose për t’u strehuar përpara se të godasë uragani Milton, që parashikohet të jetë një nga më shkatërruesit që ka goditur ndonjëherë bregun e Gjirit të Floridës. Me më shumë se një milion banorë në zonat bregdetare nën urdhra për evakuim, ata që po largoheshin drejt zonave më të larta bllokuan autostradat dhe pikat e karburantit, në rajonin që ende po rimëkëmbet nga pasojat e uraganit Helene, më pak se dy javë më parë. Stuhia parashikohet të godasë zonën metropolitane të Tampa Bay, ku jetojnë mbi tre milion njerëz, megjithëse parashikuesit thanë se rruga e saj mund të ndryshojë përpara se të prekë tokën në orët e vona të së mërkurës në mbrëmje ose herët të enjten në mëngjes, sipas kohës lokale. Milton pritet të ruajë forcën si uragan ndërsa kalon gadishullin e Floridës, duke sjellë gjithashtu rrezik për stuhi në bregun Atlantik të shtetit. Milton u bë stuhia e tretë me intensifikimin më të shpejtë në historinë e Atlantikut, duke kaluar nga Kategoria 1 në Kategorinë 5 në më pak se 24 orë.

“Milton tani është një uragan jashtëzakonisht i rrezikshëm i kategorisë 5. Të dhënat e orëve të fundit tregojnë se erërat maksimale tani janë shndërruar në 165 kilometra në orë. Presim që një uragan i fuqishëm të arrijë në bregun e Floridës, edhe atë në orët e vona të mbrëmjes të së mërkurës ose në orët e hershme të mëngjesit të enjten”, deklalroi Majkëll Brenan, Qendra Kombëtare e Uraganeve. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button