Zyrtarët zgjedhorë në shtetin fushëbetejë të Karolinës së Veriut miratuan të hënën ndryshime për të lehtësuar pjesëmarrjen e njerëzve në zonat e shkatërruara nga uragani Helene, në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.
Ndryshimet e miratuara unanimisht nga Bordi i Zgjedhjeve i Shtetit të Karolinës së Veriut do t’u japin hapësirë për manovrim zyrtarëve të zgjedhjeve lokale, ndërsa ata përpiqen të sigurohen që banorët e zonave malore në perëndim të shtetit të jenë në gjendje të votojnë, edhe pse rrugët dhe rrjetet e komunikimit vazhdojnë të jenë të bllokuara.
“Qëllimi është të sigurohet që votuesit në të gjitha zonat e shtetit të kenë mundësi votimi me postë ose në qendrat e votimit të hershëm, duke filluar nga 17 tetori apo në ditën e zgjedhjeve”, tha Karen Brinson Bell, drejtore ekzekutive e bordit.
Karolina e Veriut është një nga shtatë shtetet që pritet të jenë përcaktuese në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Sondazhet tregojnë për një garë të ngushtë mes republikanit Donald Trump dhe Nënpresidentes demokrate Kamala Harris.
Pjesa perëndimore e Karolinës së Veriut u godit rëndë nga uragani “Helene”, i cili shkaktoi vdekjen e mbi 200 njerëzve në gjashtë shtete. Shumë rrugë në rajon mbeten të pakalueshme dhe një numër i madh banorësh janë ende nuk kanë qasje në rrjetet e komunikimit.
Ndryshimet e miratuara nga bordi zgjedhor prej pesë anëtarësh do të lejojnë zyrtarët e zgjedhjeve në 13 qarqet e goditura më rëndë nga uragani të vizitojnë qendrat e strehimit dhe hapësira të tjera për të ndihmuar njerëzit të plotësojnë fletëvotimet e tyre.
Bazuar në të dhënat paraprake, rreth 9 apo 10 vendvotime të hershme kanë pësuar dëme të konsiderueshme, kanë probleme me rrugët dhe nuk dihet nëse do të jenë të gatshme për procesin e votimit të hershëm, tha Paul Cox, këshilltar ligjor i Bordit Shtetëror të Zgjedhjeve në Karolinën e Veriut.
Shteti ka dhjetëra qendra të votimit të hershëm në qarqet më të dëmtuara. Disa prej tyre po përdoren për të strehuar njerëz apo furnizime ushqimore, tha zonja Brinson Bell.
Ajo shtoi se shteti pret që të paktën një qendër për votim të hershëm të hapet në çdo qark nga 17 tetori deri më 2 nëntor.
“Procesi i votimit të hershëm pritet të duket ndryshe në disa nga 13 qarqet më të dëmtuara, por do të vazhdojë”, tha zonja Brinson Bell.
Trembëdhjetë qarqet e dëmtuara nga uragani “Helene” do të jenë në gjendje të modifikojnë orët e operimit dhe qendrat e votimit të hershëm dhe të ndryshojnë planet e personelit nëse është e nevojshme.
Ndryshimet gjithashtu do të lejojnë banorët të marrin fletëvotimet në mungesë në zyrat e zgjedhjeve lokale dhe t’i kthejnë ato në cilindo vendvotim në ditën e zgjedhjeve, një veprim që ishte i kufizuar më parë.
“Ne do të vazhdojmë ta lehtësojmë procesin për votuesit e këtyre zonave dhe nëse është nevoja ne do të përdorim kamionë, kuaj apo helikopterë“, tha Stacy Eggers IV, anëtare republikane e bordit nga Buni, një qytet malor në pjesën perëndimore të Karolinës së Veriut, që u godit nga uragani “Helen”.