BotaLajme

Moldavia zgjedh Evropën, rizgjedh presidenten Maia Sandu

Presidentja pro europiane, Maia Sandu fitoi një mandat të dytë në krye të Moldavisë duke mposhtur ish-prokurorin e mbështetur nga socialistët pro-rusë Alexandr Stoianoglo me mbi 54% të votave. Stoianoglo mori 45% të votave në balotazhin presidencial të konsideruar vendimtar për fatin politik të kombit.

“Moldavi, ju keni fituar! Sot, të dashur moldavë, keni dhënë një leksion demokracie, të denjë për t’u shkruar në librat e historisë. Liria, e vërteta dhe drejtësia kanë triumfuar,” tha Maia Sandu.

Rezultati u arrit pas një përballje kokë më kokë në fillim të votimit që pa kandidatin pro-Moskës të ishte i pari në të dhënat e para të pjesshme, për të humbur më pas terren në favor të presidentes aktuale të shtetit, e cila arriti fitoren falë mbi të gjitha votës së kryeqytetit Kishinau dhe të diasporës tradicionalisht properëndimore.

Sondazhet përjashtojnë çdo dyshim për rrugën e Moldavisë, duke konfirmuar zgjedhjen e bërë në favor të anëtarësimit në BE.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, uroi menjëherë Maia Sandu për rizgjedhjen e saj në Moldavi, duke thënë se ishte “e lumtur që do të vazhdojë të punojë” me të për një “të ardhme evropiane” të vendit. “Duhet forcë e rrallë për të kapërcyer sfidat me të cilat u përballën gjatë këtyre zgjedhjeve, jam e lumtur që vazhdoj të punoj me ju për një të ardhme evropiane për Moldavinë dhe popullin e saj,” shkroi ajo në X.

Edhe presidenti francez Emmanuel Macron gjithashtu uroi Maia Sandu për “rizgjedhjen e saj si udhëheqëse e Moldavisë”, duke u gëzuar që “demokracia” kishte “triumfuar mbi të gjitha ndërhyrjet dhe të gjitha manovrat”. Macron siguroi gjithashtu në X se “Franca do të vazhdojë të jetë në anën e Moldavisë në rrugën e saj evropiane”.

 

Show More

Related Articles

Back to top button