BotaLajme

Shkon në 44 mijë numri i të vrarëve në Gazë, thonë zyrtarët palestinezë

Numri i të vrarëve në Rripin e Gazës qe 13 muaj ndërmjet Izraelit dhe “Hamasit” ka kaluar 44-mijëshin, kanë bërë të ditur zyrtarët palestinezë të shëndetësisë, ka raportuar agjencia amerikane e lajmeve, AP.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës nuk i ndan shifrat e civilëve dhe luftëtarëve të vrarë të “Hamasit”, por ka bërë të ditur se më shumë se gjysma e tyre janë gra dhe fëmijë. Ushtria izraelite ka bërë të ditur se ka vrarë më shumë se 17 mijë luftëtarë, pa ofruar dëshmi.

Ministria palestineze e Shëndetësisë ka thënë se 44.056 persona janë vrarë dhe se 104.268 janë plagosur prej fillimit të luftës. Ka njoftuar njashtu se numri i të vrarëve mund të jetë edhe më i lartë për shkak se shumë viktima kanë mbetur të ngujuara në gërmadha ose janë në rajone që mjekët nuk kanë pasur qasje.

Lufta plasi kur militantët e “Hamasit” sulmuan kufirin dhe kaluan në anën e izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë 1.200 persona, shumica civilë, dhe rrëmbyer 250 të tjerë. Rreth 100 pengje ende janë në duar të “Hamasit” në Gazë, dhe së paku një e treta prej tyre besohet se tashmë janë të vdekur. Shumica e pjesës tjetër ishte liruar gjatë një ujdie armëpushimi vjet.

Në Liban, numri i të vrarëve nga bombardimet izraelite dhe luftimet ka shkuar në mbi 3.580, dhe mbi 15 mijë të tjerë janë plagosur, ka njoftuar Ministria libaneze e Shëndetësisë. Së paku 51 persona u vranë të enjten kur sulmet ajrore izraelite qëlluan qytezat dhe fshatra në mbarë Libanin.

Rreth 90 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës tashmë janë zhvendosur si pasojë e ofensivës izraelite.

 

Show More

Related Articles

Back to top button