Një deklaratë të pazakontë dhe tepër të rëndë ka bërë lideri i Iranit, Ali Khamenei në drejtim të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
Gjatë një takimi me forcat vullnetare, të lidhura me Rojet Revolucionare, Khamenei u shpreh se urdhërarresti ndërkombëtar është i pamjaftushëm për Netanjahu, pasi sipas tij, ai duhet të ekzekutohet për krimet që ka bërë ndaj palestinezëve.
“Urdhër-arresti i fundit i lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare kundër kryeministrit izraelit Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes nuk mjafton. Netanyahu dhe autoritetet izraelite duhet të ekzekutohen për krime lufte”, tha ai.
Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë ka lëshuar urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant, të akuzuar për krime të dyshuara lufte.
Në një deklaratë të mërkurën, gjykata me bazë në Holandë tha se gjeti “baza të arsyeshme” për të besuar se Netanyahu mban përgjegjësi penale për krimet e luftës duke përfshirë “vrasjen nga uria si metodë lufte” dhe “krimet kundër njerëzimit përmes vrasjes, persekutimit dhe të tjera akteve çnjerëzore”.
Me këtë vendim, Haga hodhi poshtë sfidën e Izraelit për juridiksionin e gjykatës mbi këtë çështje.
Një urdhër-arrest është lëshuar gjithashtu për komandantin ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif, megjithëse ushtria izraelite ka thënë se ai u vra në një sulm ajror në Gaza në muajin korrik.