Shtetet e Bashkuara po i kërkojnë Ukrainës të mobilizojë më shumë ushtarë për të përforcuar njësitë e saj në luftën gati trevjeçare kundër forcave ruse, duke thënë se Kievi duhet ta ulë moshën e shërbimit ushtarak nga 25 në 18 vjeç.
“Nevoja për momentin është për rekrutë”, u tha gazetarëve një zyrtar amerikan. “Rusët në fakt po bëjnë përparim, progres të qëndrueshëm, në lindje dhe kanë filluar ta zmbrapsin vijën e forcave ukrainase në Kursk”, rajoni rus që Ukraina mori në gusht me një sulm që befasoi Moskën.
“Mobilizimi i më shumë rekrutëve mund të bëjnë një ndryshim të rëndësishëm në këtë kohë, nëse i hedhim një vështrim fushëbetejës sot”, tha zyrtari.
Më shumë se 1 milion ukrainas janë tashmë të mobilizuar në ushtri, përfshirë në Gardën Kombëtare dhe njësi të tjera. Zyrtari amerikan tha se ukrainasit besojnë se u duhen rreth 160,000 forca shtesë, por administrata amerikane tha se ndoshta do të kenë nevojë për më shumë se kaq.
Zyrtari amerikan tha se “matematika e qartë” e situatës së Ukrainës tashmë është se ajo ka nevojë për më shumë forca në luftë, një pozicion që mbështetet në kryeqytetet e tjera perëndimore që kanë furnizuar me armatime Ukrainën.
Në prill, Ukraina e uli moshën e saj të pranueshme për meshkujt nga 27 në 25 vjeç, një ndryshim që pritej të shtonte 50,000 ushtarakë, shumë më pak nga ajo që Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se ishte e nevojshme në atë kohë.
Disa ukrainas kanë shprehur shqetësime se ulja në 18 vjeç e moshës së pranueshme për mobilizimin për meshkujt, që është mosha për regjistrimin e detyrueshëm edhe në Shtetet e Bashkuara, do të largonte më shumë të rinj nga fuqia punëtore dhe do të dëmtonte më tej ekonominë e vendit të shkatërruar nga lufta.
Zyrtari amerikan tha se administrata e Presidentit Joe Biden, i cili largohet nga detyra në më pak se dy muaj, beson se Ukraina gjithashtu mund të optimizojë forcën e saj aktuale, duke u marrë në mënyrë më agresive me ushtarët që dezertojnë, ose mungojnë pa leje.
Për më tepër, aleatët evropianë të Ukrainës kanë theksuar se mungesa e forcave ukrainase së shpejti mund ta bëjë të paqëndrueshme për Ukrainën që të vazhdojë të ketë prani në Kursk.
Situata në Kursk është komplikuar nga mbërritja e mijëra forcave të Koresë së Veriut, që u vendosën atje për të ndihmuar Moskën ndërsa përpiqet të rimarrë territorin që Ukraina mori gati katër muaj më parë.
Shtrirja e mbështetjes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për përpjekjet në luftë të Ukrainës është e pasigurt, ndërsa presidenti i zgjedhur Donald Trump përgatitet të marrë detyrën më 20 janar.
Presidenti i zgjedhur Trump është zotuar se do t’i japë fund luftës përpara se të marrë detyrën, por pa thënë se si. VOA