Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius ka njoftuar një plan ambicioz për të rritur radhët e forcave të armatosura të vendit të tij në 230,000 personel, një rritje e dukshme nga objektivi aktual prej 203,000.
Duke iu përgjigjur pyetjeve në Bundestag të mërkurën, Pistorius iu referua kërkesave të NATO-s, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Ekziston Marrëveshja Dy Plus Katër. Ajo përcakton se sa forca të përhershme dhe sa mund të jenë në rezervë. Askush nuk po planifikon ndonjë rritje përtej këtij kufiri, por thjesht bëhet fjalë për ngritjen e forcave të armatosura në atë mënyrë që në të përmbushim Marrëveshjen Dy Plus Katër”.
Ai shtoi se duke rekrutuar trupa më aktive, Gjermania do të sigurojë që ajo është në përputhje ligjore me legjislacionin përkatës ndërkombëtar dhe kombëtar.
Që nga fillimi i agresionit të plotë nga Rusia në Ukrainë në vitin 2022, NATO ka kërkuar që anëtarët e saj të rrisin kapacitetet e tyre mbrojtëse për të rritur fuqinë e aleancës.
Megjithatë, forcat e armatosura gjermane – Bundeswehr – kanë hasur në vështirësi për të rekrutuar njerëz prej vitesh.
Gjermania aktualisht ka 180,000 personel aktiv, afërsisht 20,000 më pak se objektivi i saj aktual.
Andaj, objektivat që propozon Pistorius ka të ngjarë ta bëjnë një objektiv tashmë të vështirë edhe më të vështirë. /Telegrafi/