BotaLajme

Scholz u thotë votuesve se është kundër rritjes së buxhetit të mbrojtjes

Duke folur në ndalesën e parë të turneut të tij të fushatës zgjedhore në Bielefeld, kancelari gjerman Olaf Scholz trajtoi polemikat rreth një rritje të mundshme të buxhetit të mbrojtjes, të ngritur nga presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump javën e kaluar.

Scholz tha se ai nuk do të rrit buxhetin, por do t’i përmbahet objektivit aktual të NATO-s prej të paktën dy përqind, transmeton Telegrafi.

Trump kishte kritikuar kontributet e Evropës në NATO, dhe u sugjeroi vendeve anëtare të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes në pesë për qind të prodhimit të tyre të brendshëm bruto.

Scholz u tërhoq dhe tha se pesë për qind do të ishin shumë të kushtueshme.

“Pesë përqind do të ishin mbi 200 miliardë euro në vit, buxheti federal nuk është as 500 miliardë”, tha ai gjatë fushatës së tij zgjedhore në Bielefeld.

Ai shtoi se një objektiv i tillë do të ishte i realizueshëm vetëm me “rritje masive taksash ose shkurtime masive për shumë gjëra që janë të rëndësishme për ne”.

“Unë garantoj se ne do të vazhdojmë të shpenzojmë dy për qind të prodhimit tonë ekonomik për mbrojtjen. Kushdo që thotë se nuk është rruga për të shkuar, duhet të thotë gjithashtu se nga do të vijnë paratë”, përfundoi ai.

Gjermania është një nga aleatët më të afërt të SHBA-së në Evropën Perëndimore. Pasi të betohet në detyrë më 20 janar, Trump pritet të ushtrojë presion mbi Gjermaninë në nivel ekonomik, si dhe në aspektin e politikës së sigurisë.

Konservatorët e Gjermanisë, Kristian Demokratët (CDU) dhe Unioni Kristian Social (CSU), i dhanë përparësi shpenzimeve të mbrojtjes në fushatat e tyre zgjedhore. /Telegrafi/

 

Show More

Related Articles

Back to top button