BotaLajme

Sirianët në mes të dëshirës për drejtësi apo hakmarrje për krimet e regjimit të Assadit

Qeveria e re e përkohshme siriane thotë se do të ndjekë dhe ndëshkojë zyrtarë të lartë të sigurisë dhe të tjerë që kanë kryer krime gjatë regjimit të Assadit, por shqetësimet po rriten për sulmet ndaj ish-ushtarëve të rangut të ulët

Pas katër vjetësh në ushtrinë siriane, pikërisht kur Bashar Abdo ishte kthyer në shtëpi muajin e kaluar, një turmë fqinjësh dhe të tjerë të armatosur me armë dhe thika hynë në shtëpinë e tij duke e akuzuar atë si bandit të regjimit të rrëzuar.

Motrat dhe kunata e tij u përpoqën ta bllokonin turmën derisa ai fshihej. Por njerëzit u futën brenda dhe gjetën Abdo, 22 vjeç, në kuzhinë. Ata e therën me thikë para se ta tërhiqnin zvarrë jashtë, madje edhe kur motra e tij, Marwa, e përqafonte atë. Atje, ai u vra.

Historia, e ndarë nga familja Abdo, u konfirmua nga policia lokale në qytetin veriperëndimor të Idlibit. Videot e shpërndara në mediat sociale siriane dhe të verifikuara nga “The New York Times” kapën skenën e tmerrshme që pasoi: motra e Abdos përqafonte trupin e tij të pajetë, por fqinjët vazhdonin ta godisnin me shkelma. Ajo lutej që të ndalonin, duke u thënë se ai tashmë kishte vdekur.

“Ky është fati juaj”, bërtiti një burrë. Videot e tjera të verifikuara shfaqin një turmë tjetër që shan teksa trupi i Abdos, i lidhur në një makinë, tërhiqej zvarrë nëpër rrugë. Nuk dihet se kush e ka filmuar videon.

Motra e Abdos i kujtoi ato momente në një intervistë për “The Times” katër ditë më vonë. Ajo u zotua për hakmarrje, shenjë e një cikli të ri ndëshkimi në një Siri të re.

Prona e familjes Abdo, nga ku Bashari u nxor zvarrë

Vendi po del papritur nga 13 vjet luftë civile dhe nga më shumë se pesë dekada nën dinastinë e Assadit, i cili mbajti kontrollin e pushtetit të tij duke ushtruar frikë, torturë dhe vrasje masive.

Vrasja e Abdos nënvizon të ardhmen e ndërlikuar që e pret Sirinë, ku plagët mbeten të freskëta dhe zemërimi është tejet i dukshëm. Shumë sirianë kërkojnë përgjegjësi për krimet e kryera gjatë luftës civile. Të tjerë po kërkojnë hakmarrje.

Të paktën gjysmë milioni sirianë u vranë gjatë luftës, shumica e tyre në sulmet ajrore të kryera nga avionët luftarakë e helikopterët sirianë ose në burg ku u torturuan e u ekzekutuan masivisht, sipas grupeve siriane të të drejtave të njeriut. Shumë njerëz mbeten ende të zhdukur.

Zyrtarët e Qeverisë së re të përkohshme siriane, të kryesuar nga grupi rebel islamik Hayat Tahrir al-Sham, po mundohen që të vënë në funksion gjykata dhe autoritete të tjera të drejtësisë, në mënyrë që të adresohen ankesat e sirianëve. Ata u bëjnë thirrje qytetarëve që të falin dhe të mos i marrin gjërat në duart e tyre.

Ahmed al-Shara, kreu i aleancës rebele që përmbysi Qeverinë e Assadit, ka thënë se do të ndjekë dhe ndëshkojë penalisht figura të larta për krime që përfshijnë vrasje, burgosje, tortura dhe mbytje me gaz të njerëzve të tyre.

Bashar Abdo ishte ushtar për katër vjet në Ushtrinë e Sirisë. Familja e tij ka thënë se ai u përpoq të largohej dy herë

“Drejtësia duhet kërkuar përmes ligjit, jo përmes individëve”

Në një intervistë të fundit, al-Shara tha se “drejtësia duhet kërkuar përmes gjyqësorit dhe ligjit. Jo përmes individëve”.

“Nëse lihen çështjet pas dore dhe që të gjithë të hakmerren, ne do të shndërrohemi në ligjin e xhunglës”, u shpreh ai.

Shumë sirianë kanë thënë se edhe pse al-Shara mund të zgjedhë të falë, ata nuk do ta bëjnë këtë.

Javën e kaluar, kryetari i bashkisë së Dumarit, vend në periferi të Damaskut, u vra nga banorë, të cilët e akuzuan atë për arrestimin e sirianëve nën qeverinë e mëparshme, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Britani.

Abdo ishte një ushtar rekrut në ushtrinë siriane për katër vjet. Por familja e tij tha se ai u përpoq të largohej dy herë. Në fund, ai kaloi një muaj në një burg ushtarak për shkak të përpjekjeve të tij për të dezertuar dhe u lirua kur rebelët që përmbysën qeverinë e Assadit pushtuan burgun.

Në fillim ai kishte frikë të kthehej në shtëpi, por kur dëgjoi se al-Shara kishte thënë se ushtarëve si ai do t’u jepej amnisti, ai u ndje mjaft i sigurt, bëri të ditur familja e tij. Jo shumë kohë pasi u kthye, turma e njerëzve që e vranë u shfaq para derës së tij.

Ata e akuzuan atë se kishte spiunuar fqinjët e tij, duke rezultuar në vrasjen ose burgosjen e tyre. Familja tha se i sheh shumë nga vrasësit çdo ditë, por ata nuk janë përballur me ta dhe po kërkojnë të zhvendosen në një lagje tjetër.

“Të njohur për bashkëpunim me regjimin”

Për vrasjen, policia në Idlib, e cila është e lidhur me Hayat Tahrir al-Sham, tha në një deklaratë se ata kanë filluar hetimet, por se familja Abdo ishte “e njohur për bashkëpunim me regjimin”.

Por policia shtoi se “askush nuk ka të drejtë të sulmojë askënd”. Askush nuk është arrestuar deri më tani.

Familjarët mohuan se kishin lidhje me regjimin. Ata thanë gjithashtu se nëse vëllai i tyre do të kishte punuar me ta, nuk do donte të kthehej në shtëpi.

“Ne u zotuam se nëse qeveria nuk e merr në dorë drejtësinë, ne do të merremi me ta”, bërtiti motra e Abdos, 32 vjeçe, me lot në fytyrën e saj. Ajo përplasi grushtin e saj në tapetin që ajo dhe motrat e saj kishin kaluar ditë të tëra duke e larë për të hequr gjakun e vëllait të saj. Kishte ende gjak në kuzhinë dhe në disa prej mureve të shtëpisë.

“Ne nuk do të lejojmë që gjaku i tij të derdhet dhe të mos kemi asnjë përgjigje”, tha ajo.

Të tjerët po përdorin çdo mjet që munden për të shmangur këtë cikël ndëshkimi.

Muhammad al-Asmar, zyrtar komunikimi në qeverinë e re, tha se ai u dërgoi një dokument banorëve të fshatit të tij të lindjes, Qabhani, në provincën Hama, për të paraqitur çfarëdo ankese që kanë ndaj bashkëfshatarëve. Al-Asmar tha se ai mori iniciativën pasi dëgjoi se disa njerëz te të cilët qeveria ishte mbështetur për të abuzuar dhe frikësuar sirianët ishin kthyer në shtëpi pas rënies së al-Assadit.

“Unë do ta marr drejtësinë në duart e mia”

“Nuk pati asnjë përgjigje”, tha ai, sepse “njerëzit po thonë: “Unë do ta marr drejtësinë në duart e mia”.

Megjithatë, ai shpreson se një qasje e tillë mund të miratohet në nivel kombëtar për të frenuar përshkallëzimin.

Zyrtarë në Ministrinë e re të Drejtësisë pranojnë se nuk ishin të përgatitur që të merrnin përsipër qeverisjen për pjesën më të madhe të vendit kur nisën ofensivën e tyre më 27 nëntor. Përpjekjet për të ruajtur qetësinë duket se tani për tani do të vijnë në formë të deklaratave publike ose predikimeve nga imamët që u bëjnë thirrje njerëzve që të përmbahen.

“Sinqerisht, ne jemi nën presion të madh dhe do të ketë dhunë”, tha Ahmad Hilal, kryegjyqtari i ri i Gjykatës së Halepit. Njerëzit të cilët janë të zemëruar për krimet e kryera gjatë epokës së Assadit “nuk duan të presin që gjykatat të veprojnë, ata duan të marrin ligjin dhe drejtësinë në duart e tyre”.

Kjo luftë për drejtësi është e frikshme sepse në çdo qytet dhe qytezë, sirianë që mund të akuzohen për krime të tilla, po kthehen në shtëpi.

Kur qeveria e Assadit ra, Alaa Khateeb u kthye në fshatin e tij, Taftanaz, në provincën Idlib. Familja e tij filloi t’u thoshte njerëzve menjëherë se ai kishte shmangur ushtrinë për vite të tëra dhe kishte dezertuar dy herë, në mënyrë që të sinjalizonin se ai nuk ishte pjesë e regjimit të al-Assadit.

“E di që nuk kam bërë asgjë”, tha Khateeb, 25 vjeç, burrë i martuar, baba i tre fëmijëve.

Pavarësisht se sa shumë Khateeb mundohet t’i bindë bashkëfshatarët, ai po përballet me dyshime. Edhe rekrutët e rangut më të ulët po fajësohen për krime, pavarësisht nëse kjo është e vërtetë apo jo.

Madje edhe një nga të afërmit e Khateebit, Salah Khateeb, 67 vjeç, nuk ishte i sigurt në do t’i thoshte “përshëndetje” atij.

“Ai është kushëriri im dhe po pyesja veten nëse duhet ta pranoja apo jo”, tha ai. “Të tjerët madje mund ta marrin në konsideratë edhe hakmarrjen”.

 

Show More

Related Articles

Back to top button