BotaLajme

Tragjedia me 66 viktima në Turqi, Erdogani shpall 22 janarin ditë zie kombëtare

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, shpalli 22 janarin ditë zie kombëtare pas tragjedisë me 66 të vdekur dhe 51 të plagosur si pasojë e zjarrit në resortin e skive Kartalkaya në provincën Bolu në veri të Turqisë.

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave në Ankara, presidenti turk tha se ka nisur një hetim gjyqësor dhe administrativ për shkaqet e zjarrit.

Ai po ashtu sqaroi se për këtë janë caktuar gjashtë prokurorë, dy inspektorë të Administratës Publike, katër inspektorë të Ministrisë së Punës dhe një komision prej pesë anëtarësh ekspertësh. Në vendngjarje kanë shkuar edhe katër ministra të qeverisë.

“Në fazën e parë u arrestuan katër persona, mes të cilëve edhe pronari i biznesit ku ndodhi tragjedia. E them qartë dhe pa mëdyshje njëherë e përgjithmonë: Ata që shkaktuan një fatkeqësi të tillë, ata që treguan neglizhencë dhe faj, do të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Ditën e mërkurë, më 22 janar 2025, flamujt tanë do të valëviten në gjysmë shtizë në vendin tonë dhe në përfaqësitë tona të huaja deri në perëndim të diellit. Dita nuk është dita e politikës, por e solidaritetit dhe e të qenit bashkë. Dëshiroj të shpreh se presim që të gjithë aktorët, përfshirë politikën, median dhe administratorët vendorë, të respektojnë dhimbjen e qytetarëve tanë”, tha Erdogani.

 

Show More

Related Articles

Back to top button