Lajme

Në këmbim të ndihmave për Ukrainën, Trump i do mineralet e rralla të saj. Pse?

Tashmë ka përpjekje të mëdha diplomatike, bisedime në prapaskena dhe qëndrime publike që po ndodhin mes Uashingtonit, Moskës dhe Kievit për të gjetur një mënyrë se si të ndalet lufta në shkallë të plotë ruse kundër Ukrainës, që ka nisur pothuajse tre vjet më parë.

Tani, kësaj i është shtuar edhe një element: presidenti amerikan, Donald Trump, dëshiron të kushtëzojë ndihmën e ardhshme amerikane për Ukrainën me qasje më të madhe në mineralet “e rralla të tokës” të Ukrainës – minerale për të cilat ka kërkesë të shtuar për bateritë, kompjuterët, telefonat e mençur dhe makinat elektrike, për të mos përmendur armët.

“Ne po synojmë të arrijmë një marrëveshje me Ukrainën, ku ata do të sigurojnë atë që ne u kemi dhënë në këmbim me mineralet e tyre të rralla të tokës dhe gjëra të tjera”, tha ai për gazetarët më 3 shkurt.

“Dua të kem sigurinë e mineraleve të rralla të tokës. Ne po japim qindra miliarda dollarë. Ata kanë minerale të mira të rralla të tokës. Dua të kem sigurinë e tyre dhe ata kanë vullnet për një gjë të tillë”, tha ai.

Reagimi nga Ukraina? “Nuk jemi kundër”.

“Jemi të hapur ndaj faktit që e gjithë kjo mund të zhvillohet së bashku me partnerët tanë, të cilët na ndihmojnë për të mbrojtur tokën tonë”, tha presidenti Volodymyr Zelensky, gjatë një konference për media në Kiev.

“Kjo është absolutisht e drejtë. Kam biseduar për këtë çështje në shtator kur u takuam me presidentin Trump”.

 

Show More

Related Articles

Back to top button