
Dhjetëra banorë të Gazës protestuan kundër planit të presidentit amerikan Donald Tramp për zhvendosjen e palestinezëve në vende të tjera. Të radhitur para spitalit Al Aksa me pankarta në duar, banorët e shqetësuar kërkojnë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar.
“Protestojmë se jemi në kundërshtim me planin kriminal të ferrit për të cilin Donald Tramp foli në lidhje me zhvendosjen e popullit tonë dhe konfirmimin e vendosmërisë sonë për të qëndruar në këtë tokë dhe për të mbrojtur kauzën tonë kombëtare për të arritur ëndrrën e popullit tonë për çlirim dhe pavarësi”, u shpreh një protestues.
“Ne shpresojmë që të gjitha kombet të qëndrojnë me ne dhe të na ndihmojnë të shmangim zhvendosjen. Kjo është toka dhe shtëpia jonë. Ne kemi jetuar në të. Kjo është shtëpia e gjyshërve tanë”, tha një tjetër protestues.
Pankartat shkruanin “vendi është i yni, Gaza është e jona, Palestina është e jona nga kohë më parë dhe përgjithmonë”. Reagime të shumta ka pasur edhe nga ndërkombëtarët, të cilët planin e Trampit e konsiderojnë “absurd” dhe “të papranueshëm”. Sipas tyre, çdo propozim për zhvendosjen e palestinezëve të detyruar përbën spastrim etnik dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar. Megjithëse, përfituesi dhe mbështetësi kryesor i SHBA-ve në këtë plan, Izraeli, lajmëroi se ka udhëzuar ushtrinë që të përgatisë plane që një numër i madh i palestinezëve të largohen “në mënyrë vullnetare” nga Rripi i Gazës. Në fjalimin e tij, Tramp propozoi që shumica e popullsisë së Gazës të vendosej “në mënyrë të përhershme” diku tjetër, teksa sekretari amerikan i shtetit, Rubio, njoftoi se zhvendosja do të jetë “e përkohshme”. Një vlerësim i dëmeve, i bërë nga Kombet e Bashkuara tregon se pastrimi i mbi 50 milionë tonë rrënojave të mbetura si pasojë e bombardimeve të Izraelit, mund të zgjasë 21 vjet. /Alsat.mk