![](https://globi.mk/wp-content/uploads/2025/02/Trump_Musk-780x470-1.png)
Një koalicion prej 13 shtetesh të SHBA-së po planifikon të padisë administratën e presidentit Donald Trump për shkak të vendimit të saj për t’i dhënë Departamentit të Efikasitetit të Qeverisjes (DOGE) të miliarderit amerikan Elon Musk qasje në sistemet e ndjeshme federale të pagesave që përmbajnë të dhëna personale të amerikanëve, njoftuan të enjten prokurorët e përgjithshëm të shteteve.
Prokurorët e përgjithshëm thanë se mundësimi i qasjes për DOGE-n në sistemet federale të pagesave është “i paligjshëm, i paprecedentë dhe i papranueshëm”, duke argumentuar se departamenti “nuk ka autoritet” për të siguruar informacione të tilla.
“Si njeriu më i pasur në botë, Elon Musk nuk është mësuar t’i thuhet ‘jo’, por në vendin tonë, askush nuk është mbi ligjin”, thanë 13 prokurorët e përgjithshëm në një deklaratë.
“Presidenti nuk e ka autoritetin t’ia japë informacionet tona private kujtdo që ai zgjedh dhe ai nuk mund të shkurtojë pagesat federale të miratuara nga Kongresi”, thuhet në deklaratë.
Kalifornia, New York, Arizona, Kolorado, Connecticut, Delaware, Illinois, Maine, Maryland, Minnesota, Nevada, Rhode Island dhe Vermont pritet t’i bashkohen padisë.
Administrata Trump krijoi DOGE-n me qëllimin e deklaruar për të reduktuar shpenzimet e qeverisë, por ndikimi i Muskut mbi agjencitë federale ka tërhequr vëmendjen.
Padia argumenton se aksesi i DOGE-s mund të rrezikojë pagesat për kujdesin shëndetësor, kujdesin ndaj fëmijëve dhe programe të tjera thelbësore.