
Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, tha se Uashingtoni mbështet plotësisht synimet e luftës që po zhvillon Izraeli në Rripin e Gazës duke theksuar se grupi militant palestinez Hamas “duhet shfarosur”. Me deklaratat e tij pas një takimi që pati të dielën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Rubio rrezikon të minojë marrëveshjen e brishtë të armëpushimit, faza e parë e së cilës përfundon pas dy javësh.
“Hamasi nuk mund të vazhdojë si një forcë ushtarake apo qeverisëse. Dhe sinqerisht, për sa kohë që qëndron si një forcë që mund të qeverisë ose si një forcë që mund të administrojë, ose si një forcë që mund të kërcënojë me përdorimin e dhunës, paqja bëhet e pamundur. Ato duhet të eliminohen. Duhet të shfarosen”, deklaroi Marco Rubio, Sekretar amerikan i shtetit. /Alsat.mk