BotaLajme

Ukraina akuzon Moskën për “luftë gazi”, rritet çmimi në bursa

Rusia shton presionin ndaj Europës. Kompania shtetërore Gazprom njoftoi reduktimin e furnizimit me gaz të lëngshëm natyror përmes gazsjellësit Nord Stream 1, me arsyen se po heq nga funksioni një tjetër turbinë për ta riparuar. Kjo vjen disa ditë pasi Moska rinisi dërgesat e gazit për në Europë përmes Gjermanisë. Gazsjellësi u mbajt i mbyllur për 10 ditë në punime mirëmbajtëse, teksa kjo shtoi frikën se furnizimet nuk do të nisnin ndonjëherë. Reduktimi i furnizimit bëri që Ukraina të akuzojë Rusinë se po zhvillon “një luftë gazi” kundër Europës dhe se “po terrorizon” njerëzit.

“Sërish ne pamë kërcënime të reja të gazit për Europën. Pavarësisht dorëzimit të turbinës Nord Stream, Rusia nuk po planifikon të rifillojë furnizimin me gaz në vendet europiane, siç është e detyruar të bëjë sipas një kontrate. E gjithë kjo është bërë nga Rusia me qëllim për ta bërë sa më të vështirë që europianët të përgatiten për dimër. Dhe kjo është një luftë e hapur gazi që Rusia po bën kundër një Europe të bashkuar, pikërisht kështu duhet të perceptohet. Dhe atyre nuk u intereson se çfarë do të ndodhë me njerëzit, si ata do të vuajnë nga uria për shkak të bllokimit të porteve ose nga të ftohtit dhe varfëria… Ose nga pushtimi”, tha Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Gazprom njoftoi se duhej të ndërpriste rreth gjysmën e furnizimit për punimet mirëmbajtëse, por qeveria gjermane tha se nuk kishte asnjë arsye teknike për të marrë një vendim të tillë. Nord Stream 1, që kalon në Detin Baltik nga Rusia për në Gjermani, ishte përgjegjës për 40 për qind të furnizimeve të Europës me gaz gjatë vitit të kaluar. BE-ja ka akuzuar Moskën se po e përdor energjinë si një armë. Ndërkohë, kufizimi i furnizimeve ka dhënë menjëherë efekt. Në bursat europiane, çmimi i gazit të lëngshëm është rritur deri në 10 për qind.

Show More

Related Articles

Back to top button