BotaLajme

Trump: I shtyva tarifat sepse njerëzit ishin nervozë dhe të frikësuar

Presidenti amerikan Donald Trump mbrëmë u shpjegoi gazetarëve se kishte shtyrë vendosjen e tarifave për shumë vende dhe për mallrat e tyre, sepse njerëzit ishin bërë “nervozë” dhe “të frikësuar”. Kina nuk është përfshirë në këtë masë të shtyrjes së tarifave.

Ai gjithashtu tha se pret të arrihet marrëveshje me vende të veçanta për tarifat, por theksoi se “ende nuk është bërë asgjë”.
Trump më herët, në rrjetin e tij social Truth Social, kishte shkruar se vendimin e papritur për shtyrjen e zbatimit të tarifave e kishte marrë pasi “më shumë se 75 vende” i ishin drejtuar qeverisë amerikane për të zhvilluar negociata tregtare dhe nuk kishin reaguar me hakmarrje në mënyrë domethënëse.

Sipas tij, gjatë periudhës së shtyrjes prej 90 ditësh, të ashtuquajturat “tarifa reciproke” janë ulur në 10 për qind dhe vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë.
Shkalla doganore prej 10 për qind është në fakt linja bazë për shumicën e vendeve të botës, dhe ajo hyri në fuqi të shtunën. Kjo është dukshëm më e ulët se ajo që ishte vendosur fillimisht për mallrat e importuara nga Bashkimi Evropian (20 për qind), nga Japonia (24 për qind), dhe nga Koreja e Jugut, Kanadaja dhe Meksika (25 për qind). Megjithatë, këto 10 për qind përbëjnë gjithsesi një rritje në krahasim me normën e mëparshme të tarifës që SHBA kishte aplikuar.

Ndërsa për Kinën, Trump sot e ka rritur më tej normën doganore nga 104 në 125 për qind, vetëm disa orë pasi Pekini premtoi se do të luftojë “deri në fund” dhe vendosi tarifa prej 85 për qind për mallrat amerikane.
Duket se kjo është përpjekje për të ulur tensionet e asaj që dukej si një luftë tregtare mes Amerikës dhe pjesës tjetër të botës – dhe ta kthente në një luftë tregtare mes Amerikës dhe Kinës.

Para disa ditësh, kryeministri Hristijan Mickoski për tarifat nga SHBA deklaroi se “ndoshta bëhet fjalë për një gabim” dhe se do të negociojnë me SHBA për këtë çështje.

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk