LajmeRajon

Kosovë, Kurti nuk do te jape dorëheqjen: Opozita e kërkon!

Dështimi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës, të martën ka krijuar një bllokadë institucionale në vend, pasi nuk u pranua njoftimi i Albin Kurtit për dorëheqjen dhe kalimin e qeverisë në detyrë. Atij dhe kabinetit po i kërkohet dorëheqje formale e deponuar në administratën e Kuvendit, për të vazhduar me formimin e këtij institucioni.

Por, të mërkurën, Kurti mblodhi qeverinë në detyrë e nga aty tha se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje, pasi do krijohej vakuum institucional. “Më shumë se kaq, nuk është e mundur të jepet dorëheqje. Më shumë se kaq do të ishte braktisje e institucionit, do të ishte vakum institucional, papërgjegjësi politike dhe rrezikim i sigurisë kombëtare”

Tutje, Kurti e akuzon opozitën e deritanishme për bllokim të formimit të institucioneve. “Në thelb, ata që nuk pranuan që formalisht të marrin mandatin e deputetit, po kërkojnë nga unë që formalisht të mos jem kryeministër”

Kjo po shihet si zvarritje e qëllimshme e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe vazhdimit me formimin e qeverisë. Këtë e ka mohuar ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

Ishte opozita, në këtë rast PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe të cilët e ngritën dorën për ta bllokuar procesin, jo ne.

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës duhet të nis në orën 10:00 të enjten, sipas rregullores. Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se do të jetë në Kuvend në atë kohë, derisa kërkon dorëheqjen e qeverisë e të vazhdohet me konstituim.

“Ftojmë kabinetin qeveritar, që pretendojnë se janë dorëhequr por ende, dhe paradoksalisht, mbajnë mbledhje qeveritare dhe marrin vendime, të dorëhiqen dhe këto dorëheqje t’i deponojnë te organet e Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku. Dorëheqjen e qeverisë aktuale e ka kërkuar edhe Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. “Të japin dorëheqje zyrtare nga pozitat qeveritare. Të vijnë menjëherë në seancë që ta konstituojmë Kuvendin. Pastaj vazhdojmë me fazat e tjera kushtetuese për themelimin e Qeverisë”, ka shkruar Krasniqi. Ndërprerja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë nga thirrja e parë e saj. Paqartësitë e krijuara më 15 prill, do të sqarohen nga presidentja, që tashmë ka pranuar letrën nga kryesuesi i seancës dhe është duke e shqyrtuar.

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk