
Në Bruksel ka përkushtim dhe vëmendje të madhe për mbështetjen për gjetjen e zgjidhjes, tha ministri për çështje evropiane Orhan Murtezani lidhur me bllokimin e procesit të integrimit evropian të vendit dhe miratimin e amendamenteve kushtetuese që synojnë përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, transmeton Portalb.mk.
Për angazhimin e deritanishëm të paplotësuar të koalicionit VLEN që ndryshimet kushtetuese të bëhen brenda gjashtë muajve nga formimi i Qeverisë dhe mungesës së komunikimit më intensiv me qeverinë e re në Bullgari, Murtezani tha se procesi megjithatë do të jetë më i ngadalshëm se gjashtë muaj, duke theksuar se Maqedonia nuk e ka luksin të mbetet në dhomën e pritjes së BE-së.
“Nuk është se nuk ka përpjekje për të vendosur kontakte, por duke marrë parasysh qëndrimet tona dhe mungesën e ndonjë besimi, nuk është aq e lehtë të vendosësh kontakte drejtpërdrejt. Nuk është se nuk ka përpjekje, nuk është se nuk ka asnjë komunikim, qoftë edhe me ndërmjetësimin e Komisionit Evropian, por ai proces, megjithatë do të jetë pak më i ngadalshëm nga ai që kemi kërkuar kohë prej gjashtë muajsh”, deklaroi Murtezani në intervistë në “To Tema” në TV Telma.
Sa i përket protokolleve nga seancat ndërqeveritare, Murtezani tha se ato janë dokumente të detyrueshme dhe se pikërisht për këtë procesi duhet të jetë shumë më i kujdesshëm.
“Nëse pranojmë gjithçka që është në protokoll, atëherë nuk e di se cilat do të jenë qëndrimet dhe cili do të jetë reagimi i qytetarëve. Sepse reagimi i qytetarëve për një mënyrë të tillë të zhvillimit të negociatave ishte një mesazh i qartë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ajo që duhet të bëjmë është që të përkushtohemi çdo ditë për të punuar në zbatimin e reformave, sepse vetëm në këtë mënyrë japim një sinjal të qartë se jemi seriozisht të interesuar dhe të këmbëngulim gjithë kohën për gjetjen e zgjidhjes që ta shfrytëzojmë momentin. E shohim se sa shpejt po ecën Shqipëria ajo që po ndodh me Shqipërinë në vendin tonë mund të jetë edhe tre herë më e shpejtë se sa dinamika e ecjes përpara”, theksoi ministri për punë evropiane.
Komisionerja Evropiane për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë së Mirë, Marta Kos, së fundmi ka deklaruar se edhe nëse vendi bën ndryshimet kushtetuese, askush nuk mund të garantojë se nuk do të përballet me pengesa të reja në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm bullgar Georg Georgiev në një intervistë për televizionin bullgar “BG on Air” tha se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është kushti i parë, por jo i vetmi për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sepse nuk është bilateralizëm, por zbatim i konsensusit evropian.
Kujtojmë se me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet ka ndryshuar edhe retorika ndaj BE-së. Tani nuk flitet për kushtin që duhet të përmbush Maqedonia e Veriut në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës, por kryefjala e ekzekutivit është se Evropa duhet të jetë parimore dhe të mos veprojë me standarde të dyfishta. Insistimi i VMRO-DPMNE-së, dhe kushti i saj për garanci në rrugëtimin drejt BE-së, e pastaj ndryshimet kushtetuese shkon në kundërshtim me kushtin e BE-së për negociatat.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.