
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave ka përgatitur listën e produkteve bujqësore që do të duhet të përfshihen në llogaritjen e shportës mesatare të konsumatorit, njoftoi sot ministri Cvetan Tripunovski, transmeton Portalb.mk.
“Ne marrim pjesë së bashku me ministritë tjera në këtë shportë konsumatore. Ministria jonë është në sektorin e prodhimeve bujqësore. Lista është e madhe dhe mbi të gjitha janë të përfaqësuara produktet që prodhohen në vend”, tha sot Tripunovski në përgjigje të pyetjes së gazetarit.
Sipas Tripunovskit, lista përfshin të gjitha pemët dhe perimet që rriten dhe prodhohen në vend.
Ai thotë se frutat dhe perimet do të shtohen në shportë me faza, sezonale, në varësi të periudhës në të cilën piqen dhe përdoren. Lista e përgatitur në përputhje me kalendarin e prodhimit bujqësor në vendin tonë, thotë Tripunovski është dorëzuar në Ministrinë e Ekonomisë.
“Si ministri, në përputhje me kalendarin e prodhimit bimor në vendin tonë, kemi hartuar një kalendar të veçantë se cilat kultura bujqësore piqen në cilën periudhë dhe janë në periudhën e përdorimit. Ajo listë është dorëzuar në Ministrinë e Ekonomisë dhe është përfshirë që çdo produkt bujqësor të jetë në periudhën e përdorimit.
Sipas tij, në ato komuna ku disa kultura bujqësore kanë pësuar dëme për shkak të temperaturave të ulëta të mëngjesit në periudhën e kaluar, janë formuar komisione të posaçme vlerësuese që do të dalin në terren pasi fermerët t’i raportojnë dëmet me thirrje publike. Raporti përmbledhës në nivel komunal, siç tha Tripunovski, do të dorëzohet në Komisionin kompetent qeveritar dhe do të përcaktohet përqindja e kompensimit.
Trupunovski thotë se temperaturat e ulëta kanë ndikuar në kumbulla në rajonin e Dellçevës, mollët në Resnjë, pjeshkë dhe nektarinë në rajonin e Tikveshit, si dhe pjesë të shegës dhe mollës japoneze janë prekur edhe në rajonin e Vallandovës.
Shporta mesatare e konsumatorit e cila synon mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve në Maqedoninë e Veriut pritet të prezantohet së shpejti, ndërsa se deri në fund të këtij muaji do të prezantohet edhe në Këshillin Ekonomiko-Social.
Kujtojmë që më 20 shkurt 2025 hyri në fuqi vendimi i qeverisë për ngrirjen e marzheve në 102 grupe produktesh, pra mbi 1000 produkte me pakicë dhe shumicë.