
Rreth 500.000 palestinezë janë zhvendosur në Gaza që kur Izraeli rifilloi ofensivën pas prishjes së armëpushimit me grupin palestinez Hamas, ka thënë Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), transmeton Anadolu.
Siç raporton agjencia palestineze e lajmeve WAFA, zyra e OKB-së ka rikujtuar se qindra mijëra palestinezë ishin zhvendosur disa herë që nga tetori i vitit 2023 deri në armëpushimin e janarit 2025.
Pas sulmeve të dhunshme që rifilloi në Gaza në mars, Izraeli “vazhdoi të shkaktonte vdekje dhe zhvendosje dhe të shënjestronte infrastrukturën”, në rajon, tha OCHA.
Ushtria izraelite rifilloi sulmet vdekjeprurëse në Gaza më 18 mars, duke prishur një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve që hyri në fuqi në janar.
Mbi 51.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gaza nga sulmet brutale izraelite që nga tetori 2023.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti nëntorin e kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.