
Në një kohë kur gjithnjë e më shumë të rinj në Maqedoninë e Veriut po kërkojnë rrugëdalje jashtë vendit, edhe arritjet akademike duket se po marrin një kuptim të ri. Titulli “Doktor i Shkencave”, dikur sinonim i thellimit në dije dhe kërkim, sot për shumëkënd është bërë një hap strategjik për t’u larguar. Sipas të dhënave të fundit nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), gjatë vitit 2024, 215 persona kanë fituar titullin “doktor shkencash”, një rritje prej 23.6 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Një shifër që, në pamje të parë, flet për zhvillim akademik, por në analizë të thelluar nxjerr në pah tendenca që lidhen ngushtë me migrimin profesional dhe kërkesën për status në tregun ndërkombëtar të punës.
Në krye të listës së fushave ku janë mbrojtur më shumë doktoratura qëndron Shëndetësia dhe Mbrojtja Sociale (22.4 për qind), ndjekur nga Jurisprudenca dhe Juridiku me mbi 16 për qind dhe Shkencat Sociale me 11.6 për qind. Ndërkohë, fusha të tjera si Teknologjia, Bujqësia apo Arsimi përfaqësohen me përqindje më të ulëta. Ky përqendrim i dukshëm në Sektorin e Shëndetësisë nuk është i rastësishëm. Maqedonia e Veriut, ashtu si shumë vende të rajonit, po përballet me largimin masiv të mjekëve dhe stafit mjekësor drejt vendeve të BE-së, ku kushtet e punës dhe pagesat janë dukshëm më të mira. Në këtë kontekst, doktoratura nuk shihet vetëm si një arritje akademike, por si një mjet për të përmirësuar pozitat në konkurrencën ndërkombëtare, për të avancuar në karrierë jashtë vendit, apo edhe për të përshpejtuar njohjen e diplomave.
Për më tepër, ka perceptime në rritje se në disa institucione të arsimit të lartë në vend, titujt akademik merren më lehtë dhe për një periudhë më të shkurtër kohore, gjë që e ka kthyer doktoraturën në një qëllim të arritshëm për shumë profesionistë që synojnë të përfitojnë jo aq nga përmbajtja shkencore sa nga vlera simbolike dhe praktike e titullit. Për ta ilustruar këtë realitet, për gazetën KOHA flet Arben Misini, një mjek i ri nga Shkupi, i cili sapo ka përfunduar doktoraturën dhe është në proces aplikimi për punë në Gjermani.
“Në kushte normale, do të kisha dashur të punoja dhe të zhvillohesha këtu. Por realiteti është ndryshe. Një titull doktorature më ndihmon shumë kur aplikoj jashtë. Ka më shumë vlerë atje sesa këtu. Nuk po iki sepse dua, por sepse nuk shoh të ardhme këtu, as profesionalisht, as financiarisht. E përpos kësaj më duhet ta ndihmoj edhe familjen time”, thotë Arbeni.
Përveç aspektit profesional, statistikat tregojnë edhe një barazi gjinore të konsiderueshme, pasi 49.3 për qind e personave që kanë doktoruar këtë vit janë gra. Ndërkohë, 71 prej doktorantëve janë shtetas të huaj, një fakt që sinjalizon përpjekje të moderuara drejt ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë në vend. Por mbetet pyetja thelbësore: A është ky një tregues i zhvillimit të kërkimit shkencor në vend, apo një simptomë e ikjes së trurit me titull akademik në xhep? Nëse tendenca vazhdon, ekziston rreziku që Maqedonia e Veriut të përballet me një paradoks të dhimbshëm: më shumë tituj shkencorë në statistika, por më pak profesionistë në vend. /Koha.mk/