
Bilanci i sulmit ajror rus në Kiev mbrëmjen e kaluar është të paktën 9 të vdekur dhe 63 të plagosur, përfshirë gjashtë fëmijë dhe një grua shtatzënë. 38 persona janë shtruar në spital, sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se ka rrëzuar 87 dronë ukrainas mbi rajone ruse dhe Krime. Ndërkohë, në skenën diplomatike po diskutohet një plan paqeje i administratës Trump që parashikon dorëzimin e Krimesë dhe 5 rajoneve lindore Rusisë në këmbim të ndaljes së luftës.
Trump tha se ka arritur një “marrëveshje me Rusinë” dhe tani kërkon miratimin e Zelenskyt: “Duhet të arrijmë një marrëveshje me Zelenskyn… por deri tani ka qenë më e vështirë”. Ai akuzoi presidentin ukrainas për qëndrim jorealist dhe e paralajmëroi për pasoja shkatërruese nëse nuk pranon kompromisin.
Në deklaratat e tij, Donald Trump shtoi gjithashtu se “së shpejti do të takohem me Putinin”, shkruan ANSA.
Një takim i rëndësishëm në Londër, i paralajmëruar me bujë, dështoi pasi përfaqësuesit amerikanë dhe evropianë u tërhoqën në minutën e fundit. Bisedimet u zhvilluan mes përfaqësuesve britanikë, ukrainas, dhe disa këshilltarëve francezë, gjermanë dhe amerikanë, por përfunduan pa rezultat.
Kievi refuzoi një draft-marrëveshje të përgatitur nga emisari i Trumpit, Steve Witkoff, që përfshinte njohjen e vijave aktuale të frontit dhe koncesione të mëdha ndaj Moskës. SHBA tani e shtyn këtë plan si ultimatum, ndërsa Trump paralajmëron: “Zelensky ose pranon paqen, ose rrezikon të humbasë gjithë vendin”.
Zëvendëskryeministrja ukrainase Yulia Svyrydenko u shpreh se Ukraina është e gatshme për negociata, por “jo për kapitullim”. BE-ja dhe Franca mbështesin integritetin territorial të Ukrainës dhe ritheksojnë se “Krimea është Ukrainë”.
Sipas rrjedhjeve mediatike, drafti amerikan përfshin njohjen de facto të pushtimit rus të pjesës më të madhe të Donbasit, pezullimin e sanksioneve, rikthimin e bashkëpunimit ekonomik SHBA-Rusi dhe lënien e Ukrainës jashtë NATO-s. Ukraina do të merrte vetëm garanci të paqarta sigurie nga Evropa dhe ndihmë për rindërtim.