
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Kestutis Budrys tha se duhet të arrihet një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit dhe se pengjet duhet të lirohen ndërsa shtoi se vendi i tij mund të njohë Palestinën “në kohën e duhur”, transmeton Anadolu.
Sipas Radiotelevizionit Kombëtar Lituanez (LRT), ministri Budrys dha sinjale në deklaratën e tij për programin “Ziniu Radijas” se vendi i tij mund të njohë Palestinën.
Ai theksoi se përparësi duhet të jetë lirimi i pengjeve dhe një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit, duke shtuar se ky proces duhet të përfshijë “arritjen e stabilitetit dhe hartimin e një plani”.
“Duhet të ketë patjetër një shtet palestinez. Sa i përket kohës së njohjes (së Palestinës), Lituania sigurisht që po ndjek atë që propozon Franca dhe vendimet e shteteve të tjera. Kur të ketë shumicë, kur të shohim se është koha e duhur, patjetër do ta shqyrtojmë (njohjen e Palestinës)”, potencoi Budrys.
– Mesazhi i Macronit se mund të njohin shtetin e Palestinës
Presidenti francez Emmanuel Macron në një intervistë për “France 5” më 9 prill pas vizitës së tij dy-ditore në Egjipt, tha: “Ne duhet të ecim drejt njohjes (së Palestinës) dhe mund ta bëjmë këtë në muajt në vijim. Unë nuk po e bëj këtë për unitet apo për të kënaqur këtë apo atë person. Po e bëj këtë sepse do të jetë e drejtë”.
Macron kishte deklaruar se ata synojnë të finalizojnë çështjen e njohjes së Palestinës në konferencën ndërkombëtare mbi zgjidhjen me dy shtete, të cilën do ta bashkëkryesojnë me Arabinë Saudite.
Izraeli, i cili nuk pajtohet me një zgjidhje me dy shtete dhe vazhdon pushtimin e territoreve palestineze, reagoi ndaj deklaratës së Macronit se Franca mund të njohë shtetin e Palestinës në muajt e ardhshëm.
Pasi Izraeli nisi sulmet në Rripin e Gazës më 7 tetor 2023, numri i vendeve që njohën Palestinën u rrit në 147, me vendime të marra nga vende si Spanja, Norvegjia, Irlanda, Sllovenia, Armenia, Bahamas, Trinidad dhe Tobago, Xhamajka, Barbadosi dhe Meksika.