
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara ende janë larg që të arrijnë një marrëveshje për tarifat, tha ministri francez i Ekonomisë më 24 prill, teksa blloku po synon të gjejë një shtegdalje nga tensionet tregtare me Uashingtonin.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vendosur tarifa prej 10 për qind ndaj shumicës së partnerëve tregtarë dhe ka vendosur tarifa më të larta ndaj importeve të çelikut, aluminit dhe industrisë së automobilave.
BE-ja nuk është kursyer nga tarifat, por tarifat më të larta të vendosura ndaj mallrave të bllokut janë pezulluar për 90 ditë. Por, ky pezullim do të skadojë në fillim të korrikut.
“Ne nuk do ta fshehim faktin që ende ka shumë rrugë deri tek arritja e një marrëveshjeje”, tha ministri francez i Ekonomisë, Eric Lombard, gjatë një prononcimi për gazetarë në margjinat e takimeve në Uashington të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.