
Ukraina ndërmori një sulm me dronë mbi Moskën, i cili detyroi mbylljen e aeroporteve kryesore të kryeqytetit rus për disa orë, thanë zyrtarët rusë. Sipas informacioneve paraprake, nuk pati “dëme serioze apo të lënduar” në vendin ku ranë mbetjet pranë njërës prej autostradave kryesore që çojnë në qytet. Fluturimet u ndaluan në të katër aeroportet që shërbejnë Moskën, për të garantuar sigurinë ajrore, njoftoi agjencia ruse e aviacionit në Telegram. Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga Kievi për sulmin me dronë, por zyrtarët ukrainas më herët kanë thënë se sulme të tilla synojnë objektiva ushtarake dhe infrastrukturë që përdoret për të mbështetur përpjekjet e luftës së Moskës dhe janë një përgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme ruse mbi zonat e banuara dhe infrastrukturën energjetike ukrainase. /Alsat.mk